Të dashur bij e bija, nxënës dhe kërkues të dijes,
Të nderuar mësues edukatorë,
Dita e hënë, më 11 shtator 2017, shënon për ju fillimin e një viti të ri shkollor, ndryshe thënë, mundësinë e rritjes në dije të dobishme, edukim, kulturë e eksperienca të reja të vyera për jetën.
Nga Medineja e Ndriçuar e Resulull-llahut (a.s), ju uroj me zemër dhe lutem që të keni suksese në këtë rrugëtim të ri!
Ju ftoj, që përpjekjen dhe sakrificën tuaj, që nis që në orët e para të kësaj dite për ju, t’ia kushtoni All-llahut, Zotit tuaj. Dmth, me hedhjen e hapave të parë teksa dilni nga shtëpia, të thoni me zemër: “Zoti im, ma lehtëso këtë rrugëtim në kërkim të dijes!”.
Për këtë, zotëria i bijve të Ademit, Hz. Muhammedi (a.s), që u dërgua me thirrjen: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijoi…”, thoshte: “Ai që ndjek një rrugë në kërkim të dijes, do ia lehtësojë All-llahu një rrugë për në xhennet!”
Të dashurit e mi,
Shoqëria dhe vendi ynë kanë nevojë për dije me moral, që ndërton të sotmen dhe jep garanci për të ardhmen!
Ka nevojë për mësues edukatorë, që kuptojnë drejtë se fëmijët para duarve të tyre janë një amanet i shumëfishtë, që i është besuar nga Zoti, familja, shoqëria!
Ka nevojë që shkolla të mos e humbë misionin e saj; përkundrazi, të vazhdojë të jetë dhe të mbetet burim i pashterrshëm edukimi, besimi, sigurie, garancie për ruajtjen e edukimit dhe disiplinimit të kapaciteteve intelektuale dhe dhuntive të fëmijëve tanë!
Ju uroj me zemër një vit të mbarë, plot përpjekje dhe arritje, rezultate dhe sihariqe, që jetës i japin kuptim, të sotmen zbukurojnë me shkëlqimin e diturisë dhe urtisë, të ardhmen e bëjnë më optimiste për të mirën e individit shqiptar, shoqërisë, kombit e mbarë njerëzimit!
All-llahu ju dashtë, ju begatoftë dhe ju dhashtë suksese!
Imam Muhamed B. Sytari
Medineja e Ndriçuar, 10 shtator 2017