Paraditën e së enjtes, më 14 shtator 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me imamët e qytetit, me të cilët diskutoi për disa çështje, që lidhen me mbarësinë e aktivitetit fetar në shërbim të Thirrjes Islame.
Fillimisht, Myftiu falënderoi imamët për shërbimet e tyre, duke vlerësuar ceremoninë e Kurban Bajramit në shesh, si dhe përkujdesjen e tyre për afrimin e rinisë në xhami.
Në rend të ditës ishte edhe programi i ri i derseve javore, për të cilin, Myftiu tha se është e domosdoshme, që në të gjitha xhamitë e Shkodrës të ketë derse të përjavshme, në mënyrë që besimtarët të kenë alternativa dhe mundësi të shumta përftimi dhe kontaktesh të përditshme me imamët e shumtë, prej të cilëve duan dhe mund të përfitojnë.
Myftiu vlerësoi iniciativat e mëparshme dhe projektet e shumta sezonale, që Myftinia Shkodër ka ndërmarrë gjatë viteve në këtë kontekst dhe konfirmoi domosdoshmërinë e disiplinimit dhe konsolidimit të këtij programi.
Imamët e nderuar ishin të një mendjeje për vlerën e këtyre derseve, sikurse shprehën gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre për mbarësinë e tij.
Shumë shpejt, Myftinia Shkodër do të bëjë publike listën e derseve të përjavshme që do të zhvillohen në xhamitë e Shkodrës, duke nisur nga dita e sotme, ku Myftiu do të rinisë dersin e tij javor në xhaminë e Tophanës, pas namazit të akshamit.