Mbrëmjen e së enjtes, më 30 nëntor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar në emisionin “Perspektivë”, në tv1 channel, ku bashkëbisedoi me gazetaren Linda Doda rreth përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), mesazhit islam, lirisë së besimit pas 16 nëntorit 1990 etj.
Myftiu tha se përkujtimi i Mevludit Sherifë, nuk është thjeshtë përkujtimi i një datëlindjeje të zakonshme, porse ai është një moment reflektimi për çdo musliman, për të pyetur veten sesa është i lidhur me pejgamberin e tij, me traditat e tij, me moralin e tij, me shembullin e tij në jetë, me cilësitë e tij dhe çdo gjë me të cilën ai, u cilësua nga Zoti i gjithësisë si “shembull” për krejt besimtarët.
Njëkohësisht, Myftiu shpjegoi disa detaje nga jeta dhe misioni i Resulull-llahut (a.s) duke theksuar se bota sot, ka nevojë të kthehet nga Islami burimor, ai që u shpall gjatë historisë së njerëzimit dhe u plotësua me Hz. Muhammedin (a.s).
Ai tha se nuk ka “Islam të moderuar” dhe “jo të moderuar”, porse një fé e pastër, një Islam i pandryshueshëm, sistem i plotë jete, i vlefshëm për çdo kohë dhe shoqëri.
Njëkohësisht theksoi se interpretimet e gabuara, leximet e mbrapshta, ngushtimet dhe përdorimi i fesë për interesa të ngushta meskine, janë në të vërtetë një goditje e pabesë për vërtetësinë e prezantimit në natyrshërinë e saj të fesë islame.
Myftiu iu përgjigj edhe pyetjeve të shumta të gazetares në lidhje me propagandën e sotme antiislame, fushatat islamofobike, etiketimin e padrejtë të muslimanëve dhe Islamit, devijimin e rinisë, tendencat e rrëshqitjes drejt ateizmit etj.
Myftiu tha se shoqëria shqiptare sot, ka një nevojë të madhe të ripërtëritjes së marrëdhënies me besimin dhe fenë, sikurse ka nevojë për prijës fetarë të urtë dhe institucione fetare të forta dhe solide.