Paraditën e së mërkurës, më 6 dhjetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt zv/Ambasadorin e Shtetit të Palestinës në vendin tonë, z. Hani Hussein.
Duke i uruar mirëseardhjen në Shkodër, Myftiu i shprehu z. Hussein kënaqësinë e kësaj vizite të parë në Myftininë e Shkodrës.
Myftiu theksoi se Palestina si çështje e përgjithshme dhe Kudsi Sherifi në veçanti, janë dy plagë të pambyllura për mbarë ymetin islam.
Ai tha se për çdo musliman në botë, ka tre vense të shenjta, që janë Qabja e Madhnueshme, xhamia e Resulull-llahut (a.s) dhe xhamia e shenjtë e Kudsi Sherifit.
Myftiu theksoi se lutjet dhe sensibilizimi i krejt muslimanëve të ymetit janë me Palestinën martire, Kudsi Sherifin dhe paqen gjithëpërfshirëse në tokat e shenjta.
Nga ana e tij, z. Hussein falënderoi Myftiun për mikpritjen dhe theksoi se populli palestinez kalon prej dekadash vuajtje dhe persekutime të papërshkrueshme, përtej përpjekjeve të shumta për të arritur paqen e shumëdëshiruar dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes palestineze.
Ai theksoi se sot, shpresohet që ymeti të ketë një qëndrim unik në lidhje me këtë çështje madhore për Lindjen e Mesme dhe mbarë botën islame.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu i dhuroi z. Hussein një punim të fotos së Mesxhidi Aksasë, duke shprehur se kjo Xhami e shenjtë është simbol i besimit, paqes dhe unitetit të muslimanëve në mbarë botën.