Paraditën e së enjtes, më 8 shkurt 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt dhe vëllazër, z. Korab Kaja, Drejtor i Fondacionit “Mirësia”.
Gjatë këtij takimi, Myftiu falënderoi z. Kaja për kontributet e vyera të Fondacionit “Mirësia”, sidomos në fushën e ndërtimit të xhamive të reja, ku falë këtij bashkëpunimi, gjatë viteve të fundit janë ndërtuar disa xhami në Shkodër, si: në Kuç, në Domën, në Kullaj, në Mjedë, në Krye-Bushat, në Dudas dhe tani në lagjen Draçin.
Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e një qendre të re islame në fshatin Oblikë, që do të ketë një rëndësi të veçantë për besimtarët dhe rininë muslimane të Anës së Malit.
Qendra Islame në fjalë është pjesë e kompleksit të ri islam që nisi me rindërtimin e xhamisë në qendër të Anës së Malit.
Nga ana e tij, z. Korab Kaja falënderoi Myftiun dhe Myftininë e Shkodrës për frymën e bashkëpunimit dhe theksoi se projekte të tilla kanë një vlerë të madhe për komunitetin dhe rimëkëmbjen e aktivitetit fetar e kulturor në vend.