Me rastin e vizitës në Shkodër të personalitetit të shquar islam botëror, Dr. Aziz Abidin, trashëgimtar i familjes profetike, njëkohësisht rektor i Universitetit të Shkencave Humane në Kaliforni të ShBA, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari shtroi një drekë pune, që i parapriu një bashkëbisedim me imamë, teologë, thirrës islamë dhe aktivistë të Myftinisë Shkodër.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës informoi të pranishmit për vizitorin dhe aktivitetin e tij, aktivitetin e gjerë dhe kontributet e mbi 30 viteve shërbim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë trajtesës së tij, Dr. Aziz Abidin iu drejtua të pranishëmve me disa këshilla, që lidhen me aktivitetin islam, urtësinë e thirrjes së tjetrit në Islam, rëndësinë që ka shembulli personal në këtë rrugë, etj.
Ai solli në vëmendje të pranishëmve aktivitetin e tij personal në ShBA, Kolumbi, Meksikë, Brazil, etj., ku theksoi se sot, nuk ka rëndësi sasia dhe numri i të konvertuarve në Islam, që sa vjen dhe rritet, sidomos në vendet e Amerikës Latine, Meksikë, Kubë, Kolumbi, Brazil, etj., por rëndësi ka kuptimi i drejtë i fesë, cilësia në besim dhe udhëzim, si dhe domosdoshmëria e argumentimit se, Islami është feja e Zotit të gjithësisë për mbarë njerëzinë.
Aktiviteti u shoqërua me pyetje të ndryshme nga imamët, si dhe shembuj plot vlerë nga miku i shtrenjtë.