Mbrëmjen e së dielës, më 29 korrik 2018, që korrespondon me datën 16 Dhul-Kade 1439 h., në Xhaminë e Shenjtë është zhvilluar ngritja tradicionale e mbulesës së Shtëpisë së Lashtë të adhurimit, Qabes së Madhnueshme.
Sipas traditës së krijuar, një pjesë e mbulesës ngrihet në lartësinë 3 metra dhe vishet me një copë të bardhë, që sinjalizon ihramin e haxhilerëve.
Ky veprim bëhet për ta ruajtur mbulesën nga dyndja e madhe e besimtarëve nga mbarë bota dhe për të sinjalizuar ardhjen e muajit të Haxhit dhe fillimit të ritualeve të tij.
Këtë vit, një numër i madh besimtarësh muslimanë nga Shkodra dhe krejt trojet shqiptare do të udhëtojnë pas disa ditësh drejt vendeve të shenjta për kryerjen e Haxhit 1439.
Në prag të këtij udhëtimi, Myftinia Shkodër nis ditën e nesërme, e hënë, më 30 korrik 2018, trajnimin pesëditor, që do të zhvillohet në xhaminë e Parrucës, sipas programit të afishuar më parë.