48 haxhilerë nga Shkodra u nisën për të kryer Haxhin e sivjetshëm…

Pasdreken e së martës, më 7 gusht 2018, tek xhamia e Parrucës u bë përcjellja e haxhilerëve shkodranë të këtij viti për në vendet e Shenjta, në Mekë dhe Medinë, të cilët do të bashkohen rrugës me grupin tjetër të haxhilerëve shqiptarë, e më pas të gjithë së bashku do të vazhdojnë “udhëtimin jetës” për të kryer kushtin e pestë të fesë islame, obligimin e Haxhit.

Grupi i haxhilerëve të sivjetshëm shkodranë përbëhet nga 48 persona, burra e gra, dhe 10 haxhilerë nga Malësia e Madhe, të cilët u përcollën nga familjarët e tyre, të afërm, nga besimtarë të shumtë si dhe nga përfaqësues të Myftinisë Shkodër.

Në oborrin e xhamisë së Parrucës, në prani të besimtarëve të shumtë, familjarëve dhe të afërme, të cilët kishin dalë për të përcjellë e për të uruar vëllezërit dhe motrat e tyre, u bë nisja për në vendin më të mirë dhe më të bekuar të botës, Meka e bekuar dhe Medineja e ndriçuar.

Në fjalën e tij të dhënë në prani të mediave, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, pasi u lut për mbarësi të haxhilerëve shkodranë dhe bekim për Shkodrën e mbarë Shqipërinë, ndër të tjera tha: “Kjo turmë besimtarësh, që sot ndodhen këtu, është argumenti më i qartë, se shoqëria shqiptare është shoqëri besimtare dhe jo laike, siç propagandojnë disa njerëz sipas epsheve të tyre”.

Ashtu si çdo vit tjetër, Myftinia Shkodër organizoi përcjelljen e haxhilerëve shkodranë me autobus drejt aeroportit të Rinasit, ku më pas do të bashkohen me vëllezërit dhe motrat e tjerë haxhilerët shqiptarë, për të vazhduar rrugëtimin drejt Qabes së Madhërueshme, xhamisë më të vjetër në tokë, që është ndërtuar për të adhuruar Zotin e Vetëm dhe të Plotfuqishëm.

Haxh dhe lutje të pranuara për të gjithë haxhilerët, shkodranë, shqiptarë dhe të mbarë botës islame!