Mbrëmjen e së shtunës, më 11 gusht 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari shpërndau një video-mesazh nga vendet e shenjta, duke dhënë disa këshilla të dobishme për besimtarët dhe mbarë qytetarët shqiptarë.
Nga Qabja e Madhnueshme, Imam Sytari uroi fillimin e muajit Dhul-Hixhe 1439, muajit të Haxhit dhe u lut që paqja, mëshira dhe bekimi i All-llahut të jenë mbi besimtarët, qytetarët shqiptarë dhe mbarë njerëzimin.
Këto ditë të madhnueshme, duhet që secili prej nesh, t’i shfrytëzojë në lutje, adhurime dhe vepra të mira. Ai bëri thirrje për t’u kthyer nga Zoti, si dhe njerëzit të qëndrojnë larg veseve të këqija, si: bixhozi, lojërat e fatit, droga, korrupsioni, të cilat janë përhapur shumë në Shqipëri.
Gjithashtu, Myftiu theksoi se populli shqiptar është popull besimtar dhe se shqiptarët nuk duhet të shkojnë pas thirrjeve të dëshpëruara të atyre që e duan individin dhe shoqërinë shqiptare të zhveshur nga besimi, morali, tabani kombëtar i familjes së shëndoshë, vlerat qytetëruese, etj.
Ai shprehu indinjatën e tij për përhapjen e pasigurisë në vend, për vrasjet e të pafajshëmve, për shtimin e bastoreve, kazinove, vendeve të haramit, propagandimit të lirisë absolute, që po shkatërron rininë dhe po kthen vendin në gjendje dëshpërimi.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari ndodhet në Mekë së bashku me 48 haxhilerë shkodranë, të cilët kanë shkuar atje, për të kryer Haxhin, një nga shtyllat kryesore të Islamit.
Video-mesazhi:
Posted by Myftinia Shkodër on Sabtu, 11 Ogos 2018