Ditën e martë paradite, më 14 gusht 2018, në xhaminë e Parrucës, u zhvilluan një bashkëbisedim i ngrohtë me një grup studentësh katolikë nga qyteti i Milanos, Itali, të cilët shoqëroheshin nga Dom Enzio, prifti i Blinishtit, Lezhë.
Studentë u pritën nga, teologu Lavdrim Hamja, njëkohësisht imam i xhamisë së “Dy Vajzave” dhe teologu Ervil Kuçi, përgjegjës i rinisë pranë Myftinisë Shkodër.
Fillimisht teologu Hamja i uroi mirëseardhjen studentëve dhe i njohu shkurtimisht me aktivitetin e Myftinisë Shkodër dhe kontributin e saj në ruajtjen e harmonisë, paqes dhe bashkëjetesës komunitare mes tre besimeve tradicionale në qytetin e Shkodrës.
Më pas teologu Hamja bëri një paraqitje të përgjithshme të shtyllave të besimit dhe të fesë në Islam, pasi edhe qëllimi i vizitës së këtij grupi studentor ishte njohja me Islamin dhe parimet e tij. Ndër të tjera, ai theksoi se Islami ka në thelb dhe në parim besimin në një Zot të Vetëm, besimin në të gjithë Profetët e Zotit, Librat e Shenjtë dhe parime të tjera, që edhe ato gjenden tek fetë e tjera monoteiste.
Studentë patën mundësi të bëjnë pyetje të ndryshme rreth Islamin, myslimanëve dhe bashkëjetesës fetare në Shkodër dhe në Shqipëri dhe të njihen me ritet islame, që kryhen prej myslimanëve, si namazi, agjërimi, haxhi etj.
Në fund, të dy teologët, Hamja dhe Kuçi falënderuan drejtuesin e këtij grupi, Dom Enzio dhe studentët për vizitën e tyre në xhamitë e Shkodrës, shprehën kënaqësinë e tyre për këtë takimi të ngrohtë dhe të dobishëm dhe njëkohësisht u thanë mysafirëve, se janë të mirëpritur kurdoherë në Myftininë e Shkodrës dhe në xhamitë e saj.