Pas përfundimit të ceremonisë së faljes së Kurban Bajramit, ditën e parë të tij, të martën më 21 gusht 2018, si zakonisht për çdo vit, Myftinia Shkodër ka organizuar pritjen tradicionale të miqve dhe vizitorëve, të cilët vijnë për të uruar këtë ditë të madhe dhe të begatë, për mbarë myslimanët.
Një përfaqësi e përbërë nga imamët dhe këshilltarët të Myftinisë Shkodër, në mungesë të Myftiut, Imam Muhamed Sytari, i cili edhe këtë vit ndodhet në Haxh, kanë pritur me këtë rast, në xhaminë e Parrucës, miq dhe vizitorë, duke nisur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve fetare të Shkodrës, drejtues të institucioneve vendore e lokale, deputetë, intelektualë dhe besimtarë të shumtë.
Tashmë pritjet tradicionale, të cilat organizohen me rastin e festave fetare, nxjerr në pah vlerat e harmonisë fetare të Shkodrës, që me të vërtetë është një gjurmë e çmuar e traditës së respektimit të fesë së tjetrit.
Myftinia Shkodër, e cila gjithmonë ka promovuar vlera të larta të harmonisë, solidaritetit dhe vëllazërisë, lutet që Shkodra dhe qytetarët e saj të kenë bekimet dhe mirësitë e Zotit të gjithësisë në jetën e tyre.