Në suren “El-Enbija”, All-llahu i Madhëruar përmend edhe Hz. Zekerijain (a.s.) dhe familjen e tij të nderuar. Ndër të tjera përmend një prej cilësive të spikatura të kësaj familjeje besimtare dhe të përkushtuar ndaj Fjalës së Zotit dhe Thirrjes së Tij. Thotë për ta: “Ata nxitonin për vepra të mira…” – (El-Enbija: 90).
Ndërkohë, në suren e Pendimit, teksa përjetëson shembullin e mirë të sahabëve të ndershëm dhe vullnetin e tyre për ndërtimin e një xhamie të ngritur nga sinqeriteti, pastërtia dhe përkushtimi në rrugën e All-llahut, Zoti i gjithësisë na frymëzon me një shembull të mrekullueshëm, për të cilin thotë: “Një xhami e cila që prej ditës së parë është themeluar në respekt ndaj All-llahut (pa hile), është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen mirë, e All-llahu i do të pastrit!” – (Et-Teube: 108).
All-llahu ekber! Sot, më 15 shtator 2018, duke u gdhirë data 16 e këtij muaji vjeshte, në Sulgen të Zvicrës, ca BURRA, prej atyre: “që dëshirojnë të pastrohen”, shkruan me përkushtimin dhe dashninë e tyre preludin e PRANVERËS më të bukur të shqiptarëve të atij vendi të begatë, duke na bërë të ndjehemi krenarë, sot e deri në ditën e gjykimit!
Nën drejtimin e Hoxhës së zemrave dhe vizionarit të shquar islam të trojeve tona, Hoxhë Ahmed Mehmedi, vëllezërit e mi të shtrenjtë të xhamisë “Buhara” të Kradolfit, shkruan sot, me përkushtimin e zemrave të tyre kapitullin më të bukur në historinë e rimëkëmbjes së madhe të kësaj Thirrjeje të Madhnueshme Islame, atje larg, në zemër të Evropës!
Është e paimagjinueshme shuma prej 1 milion e 184 mijë frangave zvicerane, që u mblodhën në një thirrje prej rreth tre orësh, për ndërtimin e një xhamie të re në një tokë, njerëzit dhe institucionet e së cilës ia kanë hapur dyert e zemrës dhe mirëkuptimit shqiptarëve të shtrenjtë, muslimanëve të përkushtuar, ndërtuesve të së mirës, mbrojtësve të paqes e harmonisë, përçuesve më të denjë të shembullit konkret të qytetarëve model, me besim në All-llahun e Madhëruar, udhëzimin kur’anor e dritën e traditave të Hz. Muhammed Mustafasë!
Ajo çfarë këta BURRA të Islamit kanë bërë sonte, është një jehonë e begatë mirësie dhe krenarie legjitime, që vjen nga zemra e kontinentit tonë për ne shqiptarët, kudo që të jemi, por edhe për mbarë botën islame!
Është jehona e pastër e sihariqit të Resulull-llahut (a.s.), kur thoshte, këtu e 15 shekuj më parë: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita!”, që me fjalë të tjera përkthehet edhe si një thirrje frymëzuese, që na nxit, si për të na thënë: “Ngrihuni o pasues të Thirrjes së lashtë të Zotit të botëve, në çdo kohë e në çdo vend, vishuni me virtytet e fesë tuaj, mbrojeni me dinjitet identitetin tuaj, hapjani zemrat njerëzve, kushdo qofshin, dëshironi për ta, atë që doni për veten tuaj, lutuni për të mirën dhe përhapeni atë, ndërtoni ura harmonie dhe komunikimi ndërnjerëzor dhe lajmëroni me të madhe se All-llahu i do të pastrit!
Mos u tundoni para paragjykimit e keqleximit që ju bëhet, punoni dhe sakrifikoni, bashkohuni dhe mos u përçani, kapërceni situatat me bashkëpunim dhe lidhje të ngushtë në mes vete, që të fitoni bekimet dhe mëshirën e Zotit të botëve!”.
Ata nuk bënë asgjë më shumë se iu përgjigjën thirrjes së Resulull-llahut (a.s.): “Përhapni për mua, qoftë edhe një fjalë” dhe fjala e tyre sonte ishte bashkimi dhe dashnia për All-llahun dhe të Dërguarin e Tij!
Ata sonte dëshmuan se vrapimi drejt mirësive nuk ka limit, nuk njeh kufi, nuk ka pengesë dhe e ka rrugën e hapur deri në kijamet, kur në krye të punëve është sinqeriteti, përkushtimi dhe dorëzimi pa kushte para duarve të Atij, që urdhëron në Kur’anin Famalartë: “Vërtetë xhamitë i janë kushtuar vetëm All-llahut…” – (El-Xhin: 18).
Ata sonte dëshmuan para të gjithëve ne se, punët e mëdha bëhen nga BURRA të mëdhenj, jo ndryshe..!
Ata sonte bënë mrekullinë e besimit në një kohë sprovash dhe mjegullnajash, ku Drita e Besimit dhe Madhështia e Islamit në zemrat e sinqerta vezullon, duke larguar çdo hije e duke dhuruar ngrohtësi e bekim!
Sonte qyteza e Sulgenit u ndriçua dhe mori bekim, që do të shpërndahet ndër krejt banorët e saj, si një mirësi e madhe e bashkëqytetarëve të tyre të ndershëm e fisnikë me prejardhje nga toka e bekuar shqiptare!
Sonte të gjithë ne kemi Bajram, atë të vëllezërve tanë të xhamisë “Buhara” të Kradolfit e Sulgenit!
Me këtë rast, uroj përzemërsisht vëllanë e dashur, H. Mustafa Saliu, Kryetar i xhamisë së “Buhara-së”, imamin e xhamisë, Hoxhë Ahmed Mehmedi dhe krejt vëllezërit e mi të Forumit të Rinjve Muslimanë dhe pjestarët e xhematit të nderuar të kësaj xhamie dhe këtij komuniteti të madh vlerash!
All-llahumme dëshmo për këta BURRA, që vërtetuan sonte, jo për sy e faqe se, janë prej atyre, që meritojnë nderin e dëshmisë së madhe: “Ata nxitonin për vepra të mira…”.
Me zemër dhe mirënjohje
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 16 shtator 2018