Me ftesë të kryesisë së xhamisë “Ebu Hanife” në Troisdorf të Gjermanisë, ditën e shtunë, më 29 shtator 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit për ndërtimin e Qendrës së re Islame Shqiptare në këtë vend.
Gjatë fjalës së mbajtur, Myftiu falënderoi përkushtimin e shqiptarëve në këtë qytet, të cilët po japin një shembull shumë të mirë me fillimin e punimeve për një xhami të re me kompleksin e saj bashkëkohor, që e bën të jetë pikë referimi për muslimanët shqiptarë në Gjermani.
[Sot, qyteti juaj i Troisdorfit, në të cilin jetoni dhe punoni si qytetarë legjitimë të këtij vendi mikpritës; ka festë dhe gëzon me gëzimin tuaj legjitim!
Toka e qielli sot, kanë bajram! Po nis punimet një XHAMI e re, ku të gjithë do të kenë një mundësi më shumë për të gjetur qetësinë e shpirtit, dritën e udhëzimit, fillin e arsyes dhe tërheqjen e zemrës drejt vlerave të besimit, drejt moralit dhe pastërtisë, drejt nxitjes për punë të ndershme dhe harmoni me tjetrin, drejt vëllazërimit dhe bashkëpunimit, drejt mbrojtjes dhe zhvillimit të paqes sociale, drejt ruajtjes së identitetit islam dhe zhvillimit të harmonisë kombëtare, drejt ruajtjes së gjuhës tonë të bukur shqipe, me anën e së cilës do të mësojmë të madhërojmë Zotin e të lartësojmë mesazhin e Tij për mbarë njerëzimin: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu, më i fismi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur nga të këqijat”], tha ndër të tjera Myftiu.
Me këtë rast, Myftiu uroi dhe falënderoi kryetarin e kryesisë se xhamisë “Ebu Hanife”, H. Mahir Mustafa, imamin e saj, z. Resmi Likaj, si dhe bashkëpunëtorët e tyre të shumtë, që kanë dhënë dhe japin një kontribut shumë të madh për zhvillimin e aktivitetit fetar e kombëtar në Troisdorf, prej dekadash.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu vizitoi edhe xhaminë e re katedrale në zemër të qytetit të Këlnit, më e madhja xhami në Gjermani, që u inaugurua ditën e shtunë, më 29 shtator 2018, edhe me praninë e presidentit të Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan.