Myftiu ligjëroi në Mevludin e B.I. “Al-Shems”

Me ftesë të Bashkësisë Islame “Al-Shems”, në Rebstein të Zvicrës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi në aktivitetin e përvitshëm që organizoi xhamia “Al-Shems”, me rastin e përkujtimit të Lindjes së Hz. Muhammedit (a.s.), të dielën e më 25 nëntorit 2018.

Gjatë këtij aktiviteti, Myftiu hodhi dritë mbi pozitën e lartë të Dërguarit të All-llahut, sikurse theksoi se, përtej sfidave të ndryshme të jetës, besimtari musliman është njeri optimist, i mbushur me besim dhe shpresë në mëshirën e All-llahut të Madhëruar.

Ndër të tjera, tha se: “All-llahu i Madhëruar është betuar në Kur’anin Famëlartë: “Pasha jetën tënde (o Muhammed)!”, prandaj, edhe sikur shkruan Hafizi Ebu Shame (v. 665), mësuesi i Imam Neveviut: “Ndër risitë më të mira në kohën tonë, është edhe ajo që bëhet për çdo vit në ditën përkatëse të Lindjes së tij (a.s), si ndarja e sadekave dhe shtimi i veprave të mira, shfaqja e zbukurimeve dhe e gëzimit. Kjo nxit dashurinë dhe madhërimin e tij (a.s) në zemrën e atij që e bën këtë vepër, si dhe falënderim ndaj All-llahut të Madhëruar për mirësinë e madhe të krijimit të dërguarit të Tij, që e dërgoi mëshirë për krejt botrat”.

Myftiu falënderoi edhe imamin e xhamisë shqiptare të Rebsteinit, H. Enes ef. Koshi, si dhe kryesinë, për organizimin madhështor, si shenjë dashnie ndaj të Dërguarit të All-llahut (xh.sh.).

Në këtë aktivitet të shënuar, ligjëroi edhe Hoxha i nderuar, Nexhmedin Ademi, nga Presheva, ndërsa të pranishmit patën mundësi të dëgjonin ilahitë dhe recitimet e përzgjedhura nga Hfz. Ajdin Aliji.