Nga xhamia “Ikre” në Bruttisellen të Zvicrës, të shtunën, më 24 nëntor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, hodhi dritë mbi pozitën e lartë të Hz. Muhammedit (a.s.), si Mësues dhe Edukator, që për 23 vite e nxori shoqërinë e tij nga realitetet e zymta të anarshisë, në shembullin më të mirë për t’u pasuar deri më kijamet.
Gjatë ligjëratës, ai theksoi se gjurmët e mrekullueshme të Resulull-llahut (a.s.) mbeten përherë stacione udhëzimi për shoqëritë njerëzore në çdo kohë.
“Islami është fé e kompletuar dhe garanci për të jetuar në nivelet më të larta, si njerëz të qytetëruar, besimtarë, bashkëpunues e solidarë me tjetrin, të mbështetur në dritën e dijes së pastër, që buron nga Kur’ani Famëlartë dhe Traditat e Mësuesit të Madh (a.s.)!”, theksoi Myftiu në fjalën e tij.
Ai përshëndeti edhe imamin e kësaj xhamie, z. Shaban Azizi, si dhe kryesinë e saj, për ftesën bujare dhe mundësinë e këtij takimi me vlerë.