Me ftesë të MBS “Drita” në Londër, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në aktivitetet e kësaj shoqate me rastin e përkujtimit të ditës së flamurit.
Në mbrëmjen solemne me këtë rast, Myftiu mbajti referatin kushtuar kontributeve të hoxhallarëve dhe intelektualëve muslimanë për çështjen kombëtare.
Ndër të tjera, theksoi se: “Është e pastudiuar si e sa duhet moria e madhe e shkrimeve, kushtimeve, vargjeve, himneve dhe përkujtimoreve kushtuar Ditës së Pavarësimit të Shqipnisë sonë të shtrenjtë, si dhe kontributeve të vyera të hoxhallarëve dhe intelektualëve muslimanë për çështjen kombëtare në revistat islame dhe botimet e ndryshme, kryesisht ato të gjysmës së parë të shekullit 20.
E, kjo sasi e madhe tekstesh plot dobi, nëse vërteton diçka, fakton ndjenjën e sinqertë kombëtare tek elitat muslimane të vendit tone, një ndjesi e natyrshme e lindur me njeriun, që përkthehet më së miri në fjalët me të cilat Resulull-llahu (a.s.) i drejtohej Mekës, vendlindjes së tij: “Me të vërtetë ti je toka më e mirë e All-llahut të Madhëruar dhe më e dashura tokë e All-llahut për mua dhe, sikur të mos më nxirrnin prej teje, unë nuk do të dilja!”.
Kontributet e hoxhallarëve për çështjen kombëtare, si yjet që shndrisin deri në kijamet!”
Gjatë qëndrimit në Londër, Myftiu zhvilloi edhe disa takime të dobishme me muslimanët shqiptarë atje, ku ligjëroi në disa takime të dobishme dhe bashkëbisedoi me të rinjtë shqiptarë, të interesuar për çështjet e ndryshme të fesë së tyre.