Myftinia uron komunitetet e krishtera

Përfaqësues të Myftinisë Shkodër, zhvilluan ditën e martë, më 25.12.2018 vizitat tradicionale në Kishën Ortodokse Shkodër dhe në Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër-Pult, ku u pritën nga drejtuesit e dy komuniteteve të krishtera të Shkodrës.

Në emër të Myftinisë dhe Myftiut të Shkodrës, H. Fejzi Zaganjori përcolli urimin me rastin e kësaj dite, duke i uruar besimtarëve ortodoksë dhe katolikë lindjen e Jezusit, Hz. Isait (a.s).

Ndërsa përpara mediave, me këtë rast teologu Arben Halluni, ku në emër të Myftinisë Shkodër uroi për më shumë harmoni e mirëkuptim në mesin e besimtarëve dhe të gjithë njerëzve kudo në botë.

Në atmosferën e festave fetare duhet që të gjejë më tepër hapësirë paqja e mirësia, falja dhe përulësia, – tha ndër të tjera teologu Halluni. Ai në mesazhin e tij, para mediave iu drejtua me një thirrje për të gjithë ata që janë në gjakmarrje, që të shtrijnë dorën e pajtimit dhe të falin për hir të Zotit Fuqiplotë, sepse askush nuk ka të drejtë të cënojë apo dhunojë jetën e tjetrit.

Këto vizita ndihmojnë në forcimin e frymës së bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në mesin e tri besimeve fetare në Shkodër.