Paraditën e së mërkurës, më 19 dhjetor 2018, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë në shtëpinë e imamit të nderuar, H. Fejzi Zaganjori.
Qëllimi i kësaj vizite ishte interesimi për gjendjen shëndetësore të imamit të xhamisë së Rusit, pas një luhatjeje të kaluar pak ditë më parë.
Myftiu falënderoi të nderuarin H. Fejzi Zaganjori për kontributin e tij dhënë për Myftininë Shkodër dhe ruajtjen e ekuilibrave dhe paqes sociale në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, si dhe shërbimet ndaj xhematit të xhamisë së Rusit dhe interesimin e vazhdueshëm për përhapjen e mesazheve të urta nëpërmjet ligjërimeve të ndryshme gjatë kësaj periudhe.
H. Fejzi Zaganjori ka shërbyer për shumë kohë në krah të myftilerëve të periudhës së pas vitit 1990, në veçanti në kohën e myftilerëve të nderuar të Shkodrës, H. Faik Hoxha dhe Imam Ndriçim Sulejmani. Aktualisht është sekretar i Këshillit të Myftinisë Shkodër.
Ai ka një kontribut të paçmuar deri më sot, në përpjekjet për uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e situatës së krijuar në vitin e vështirë 1997, ku së bashku me drejtues të komuniteteve të tjera fetare, ka zhvilluar shumë tubime dhe lutje të përbashkëta për paqen dhe pajtimin kombëtar.
Akoma sot, ai vazhdon të shërbejë me përkushtim të madh, si imam, vaiz dhe hatib në xhaminë e Rusit.