📣 Ca portale me emra tërheqës; herë qytetesh e herë historie, herë lokalë e herë kombëtarë, që në të shumtën e rasteve nuk u dihen të zotët, herë pas here mbjellin mllef dhe urrejtje, që nxit konflikt mbi baza fetare. Kjo cytje tinëzare, ngjan me një shkëndijë të papërfillshme, që mund të shkaktojë çfarë nuk i dihet fundi..! E bëjnë këtë duke fyer muslimanët, teksa prekin shenjtëritë e tyre, duke shkelur mbi dërrasa të kalbura..!?
⚠️ Hera-herës ka edhe plot emra të përveçëm, në pamje të parë muslimanë, që s’lënë rast e mundësi, pa nxjerrur krye me helmin e tyre, tamam si gjarpri që nxjerr veten në pozitë sulmi, me gjuhën e tij dredharake..!?
🚮 Kjo lloj propagande është tipike e atyre që përgjatë historisë kanë punuar dhe punojnë fort për të luftuar Islamin dhe përhapjen e tij të jashtëzakonshme, sidomos sot, në Evropë dhe në mbarë botën, si dhe në rastin tonë shqiptar (në Kosovë dhe Shqipëri), teksa nuk lënë përpjekje e mundësi për të njollosur imazhin e tij, duke nxitur tema që u ka perënduar dielli pa u lindur fare, duke mbjellur mëdyshje në mendjet e besimtarëve, duke promovuar modele të reja të “Thirrjes Islame” bashkëkohore, që keqlexon tekstet e shenjta dhe bën interpretime devijante, duke derdhur lotë krokodili për çështjen e femrës dhe trajtimin e saj në Islam, duke folur mbi mospërputhjen e botëkuptimit islam me mendësinë dhe kulturën perëndimore, duke tërhequr vëmendjen drejt elimininit të disa ajeteve kur’anore (hasha!), sikundër “pastrimin” e librave të hadithit nga disa sosh, qofshin edhe në gjashtë librat më të mirënjohur të tij (hasha!), përhapjen e jomedhhebizmit, nxitjen e debatit për çështjet e ndryshme juridike islame në mesin e njerëzve, mbjelljen e anarshisë brenda xhamisë tonë, abuzimin me simbolet e dijes dhe përkushtimit, intriga publike me nxitjen e debateve shterpë, si rastet meskine të disa gazetarëve të dalë boje, që përflasin herë pas here hixhabin, muslimanet në plazhe, burkën, e të ngjashme. Si të thuash, luftë nga jashtë e intriga të mbjellura nga brenda!?
❗ Përballë kësaj vale, që nuk soset, as gjen karar, muslimani duhet të vetëdijësohet drejt disa të vërtetave të mëdha, para të cilave, s’duhet të lejojë shejtan në botë ta provokojë për t’i tejkaluar ca caqe të shënuara nga udhëzimi hyjnor:
1. Janë të qarta ajetet kur’anore: “📌 Ti praktiko atë që t’u shpall nga Zoti yt. S’ka Zot, përveç Tij. Largohu prej idhujtarëve. 📌 E sikur të donte All-llahu, ata nuk do të ishin idhujtarë. Ne nuk të bëmë përcjellës të tyre e as që je mbikëqyrës i tyre. 📌 Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij). Kështu Ne ia kemi zbukuruar çdo populli veprimin e vet, mandej e ardhmja e tyre është te Zoti i tyre, e Ai i shpërblen për atë që vepruan.” – (El-En’am: 106-108).
✅ Nëse ke vendosur të reagosh, gjej formatin më elitar, rrugët më bindëse, platformën më të qytetëruar dhe asnjëherë mos degrado në nivele të ulëta, duke rënë në grackën e sharjes së fesë, besimit e shenjtërive të tjetrit!
❌ Kurrë mos ia lejo vetes t’i fyesh tjetrit besimin që ka, edhe nëse ai lloj besimi bie ndesh me atë që ti beson! Në fund, të gjithë do japim llogari para Zotit dhe vetëm Atij i takon gjykimi final në ditën e gjykimit!
🚫 Asnjëherë në historinë tonë islame, nuk janë fyer as poshtëruar jomuslimanët për shkak të fesë! Asnjë rast! E kundërta, po, me qindra raste plot fakte kokëforta! (Lexoni së fundmi për genocidin ndaj muslimanëve rohinga dhe atyre ujgurë, ose para tyre, jo shumë larg në kohë; boshnjakët e shqiptarët!?).
🕯 Nëse dikush i ditur kërkon dialog ballafaques për çështje të ndryshme të fesë, absolutisht që jemi në gjendje dhe të gatshëm në çdo moment dhe për çdo lloj komunikimi të qytetëruar, me dëshirën e mirë të udhëzimit të kujtdo drejt të vërtetave të mëdha të besimit e fesë!
2. Lexo me vëmendje dhe lartësohu në kërkim të kënaqësisë së Zotit tënd, i Cili urdhëron: “✅ Ndërsa e tërë krenaria i takon All-llahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë!” – (El-Munafikune: 8).
🤲 Jeto me dinjitetin e qenies musliman, krenar me fenë tënde, krenar me Librin tënd, krenar me pejgamberin tënd, krenar me shenjtëritë e tua, krenar për praktikimin tënd të udhëzimit të fesë, krenar për përhapjen kudo të kësaj drite hyjnore! Vetëm me krenari legjitime!
3. Lexo me vëmendje udhëzimin dritësues: “📌E, s’ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë melekët (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej. 📌Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, ku do të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni. 📌 Pritje e nderuar prej Atij që falë gjynahet dhe që është Mëshirues! 📌 E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” 📌 Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. 📌 Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë!” – (Fussilet: 30-35).
📖 Këto ajete duhet të na prijnë në jetën tonë, teksa ftohemi përherë e më shumë drejt qëndrueshmërisë në besimin tonë, plot vendosmëri burrash që e dijnë mirë se ajo që besojnë dhe ajo ku bazohen është prej Zotit të botëve; pa mashtrime e pa fallsifikim, pa lojra fjalësh e pa intriga, pa zigzage e larg mbulimit të arsyes, mendjes së shëndosh dhe logjikës së ftohtë: “📌(Ky është) Libri, që të është zbritur ty, që me të t’ua tërheqësh vërejtjen dhe t’i këshillosh besimtarët, pra të mos ketë shtrëngim në gjoksin tënd (për kumtimin e tij). 📌 Pasojeni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj, e mos zini miq (përkrahës) pos Tij. Pak është ajo që po merrni përvojë!” – (El-A’raf: 2-3).
🕋 Kjo fé ka garancinë e Zotit të botëve, nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt! Ndërsa ne, teksa disiplinohemi me të, thërrasim popullin tonë drejt saj dhe edukojmë fëmijët tanë me dritën që na ndriçon rrugët e jetës, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse i dëshmojmë All-llahut të Madhëruar mirënjohjen dhe përuljen tonë që na udhëzoi drejt dritës së Tij!
📿 Elhamdulilah për udhëzimin në Islam.., vetëm kaq!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 13/1/2019