Paraditën e së enjtes, më 31 janar 2019, në vakëfin e shenjtë të fshatit Shirq, Dajç, u zhvillua ceremonia e hedhjes së gurit të themelit për xhaminë e re.
I pranishëm në këtë ceremoni, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, tha se sot, të gjithë duhet të bashkojmë duart për të përhapur shpresë e dashuri në shoqëri, për të jetuar me dinjitet si njerëz, që dinë të mbajnë amanetet e Zotit në tokë.
Myftiu falënderoi Fondacionin “Mirësia” dhe drejtorin e sak, z. Korab Kaja, për mirësinë e madhe të bashkëpunimeve të shumta, si dhe ndërmjetësimin bujar për arritjen e kësaj dite dhe fillimin e punës për ndërtimin e xhamisë së re në fshatin Shirq.
Ceremoninë e përshëndeti edhe Kryetari i Njësisë Administrative Dajç, z. Gjovalin Derregjati, i cili uroi mbarësi dhe sukses në ndërtimin e shtëpisë së Zotit. Njëkohësisht shprehu dëshirën e tij që ky vend të gjallërohet nga rinia dhe besimtarët.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Korab Kaja shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me Myftininë Shkodër, sikurse theksoi se xhamia e re do të ndërtohet me donacionet bamirëse të një besimtari nga Shteti i Kuvajtit.
Me tekbire dhe lutje, u zhvillua edhe ceremonia e hedhjes së gurit të themelit, me dëshirën e madhe që xhamia e re të ndërtohet sa më shpejt brenda kushteve bashkëkohore.
Xhamia aktuale e Shirqit, e ndërtuar pas vitit ’90 është përmbytur disa herë dhe prej vitesh në Myftininë e Shkodrës kanë ardhur ankesa për gjendjen e saj.
Imami i kësaj xhamie, H. Kujtim Cufaj, është interesuar vazhdimisht për arritjen e kësaj dite të begatë për mbarë komunitetin.