Ditën e xhuma, më 22 shkurt 2019, pas namazit të xhumasë në xhaminë e lagjes Milan-Rrasek të fshatit Domën, u zhvillua ceremonia për hedhjen e gurit të themelit për minaren e re të lësaj xhamie.
I pranishëm ishte edhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, Kryetari i Njësisë Administrative Postribë, z. Altin Shabaj, imamë e besimtarë të zonës, që e kanë pritur me shumë gëzim këtë ditë të bekuar.
Pas hytbes së xhumasë, ku solli në vëmendje të besimtarëve se, shpërblimi i bamirësisë dhe përkujdesjes për xhamitë dhe mësimet e besimit, kanë bekimin e All-llahut dhe mirësitë e Tij në të dy jetët, Myftiu shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për kontributet e atyre burrave të nderuar të Postribës dhe përtej saj, që përherë kanë dëshmuar shpirtin e besimit dhe besnikërinë ndaj fesë islame, brez pas brezi.
Duke hedhur gurin e themelit, Myftiu, së bashku me dhuruesin e tokës për xhaminë e Milanit, z. Sait Milani dhe z. Altin Shabaj, u lut për mbarësinë e punimeve dhe lehtësinë e tyre, me shpresën që minareja e kësaj xhamie të ketë përfunduar deri në ditën e Fitër Bajramit.