Të martën më 19 shkurt 2019, pas namazit të akshamit, në xhaminë e Perashit, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin e radhës me temë: “Sabahët e Resulull-llahut (a.s), shembull besimi dhe përkushtimi”.
Krahas xhematit të kësaj xhamie, merrnin pjesë edhe besimtarë të xhamive të tjera të qytetit, përfaqësues të Myftinisë Shkodër, drejtori i medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, etj.
Në emër të Myftinisë Shkodër, këtë aktivitet të dobishëm e përshëndeti teologu Arben Halluni, i cili ndër të tjera tha, se kjo tribunë fetare vjen në vazhdën e një sërë aktivitetesh, që po zhvillohen në xhamitë të ndryshme të qytetit dhe jo vetëm, me tema të larmishme, më qëllim për të kujtuar vazhdimisht mesazhet dhe mësimet islame, të cilat e gjallërojnë shpirtin e besimtarit dhe bëjnë atë më të përkushtuar.
Më pas, dy imamët e nderuar, Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë dhe Adem Pizga, imam i xhamisë Perash, ligjëruan mbi temën: “Sabahët e Resulull-llahut (a.s), shembull besimi dhe përkushtimi”.
Imamët e nderuar sollën ngjarje dhe shembuj konkretë nga jeta dhe vepra e ndritur e sahabëve të Pejgamberit (a.s), duke u ndalur në disa stacione me rëndësi, ku veçojmë: shembulli i sahabëve në marrëdhënie me besimin, përkushtimi i tyre në jetë dhe mundësitë e leximit të kësaj shembulltyre në ditët e sotme, dashuria e tyre për të dërguarin e All-llahut dhe dëshmimi i kësaj dashurie në jetën e përditshme, dëshmitë e tyre mbi mrekullitë e ndryshme të Pejgamberit (a.s.), vlera e tyre për mbarë ymetin islam në raport me transmetimet e shumta të fjalëve dhe traditave të Hz. Muhammedit (a.s.), etj.
Pas tubimit në xhaminë e Tophanës, në xhaminë e “Dy Vajzave” dhe në xhaminë e Perashit, Myftinia Shkodër ka planifikuar edhe të tjera tubime fetare me vlerë për besimtarët.