Mbrëmjen e së martës, më 14 qershor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar nga një grup imamësh të Myftinisë Shkodër, mori pjesë në iftarin vëllazëror të shtruar nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Me këtë rast, Myftiu uroi Kryetarin e ri të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Mr. Besim Berisha, të cilit i uroi suksese dhe mbarësi në detyrën e re. Njëkohësisht i konfirmoi vullnetin e bashkëpunimit dhe domosdoshmërinë e angazhimeve të përbashkëta në dobi të interesit të Thirrjes Islame dhe vlerave më të mira islame e kombëtare.
Nga ana e tij, Mr. Besim Berisha, e falënderoi Myftiun me imamë, për pjesëmarrjen në iftarin vëllazëror, në mesin e imamëve të Prizrenit. Njëherazi, konfirmoi vullnetin e bashkëpunimeve të mëtejshme, në rrugën e ruajtjes dhe forcimit të frymës së harmonisë dhe vëllazërisë islame në mesin e dy institucioneve.
Myftiu i Shkodrës mbajti edhe një fjalë para të pranishëmve, ku uroi Muajin Ramazan dhe bëri thirrje për të ruajtur vlerat e harmonisë dhe vëllazërisë në mes vete.