Ditën e enjte, më 16 qershor 2016, Myftinia Shkodër organizoi një Mbrëmje Fetare të ngjeshur me adhurime, lutje, ligjërata, këshilla fetare dhe përshpirtje në Xhaminë e Plumbit.
Aktiviteti nisi me leximin e një pjese kur’anore nga H. Ibrahim Aslan, i ardhur këtë Ramazan nga Turqia, për shërbim në Shkodër.
Më pas, teologu Arben Halluni uroi pjesëmarrësit për këtë ditë të agjërimit dhe theksoi se tubimi pranë Xhamisë së Plumbit ka një simbolikë të veçantë për besimtarët muslimanë të Shkodrës. Ai tha se ky tubim është një risi e Myftinisë Shkodër, duke u nisur nga programi i larmishëm, ligjëratat, iftari i hapur, namazi i akshamit dhe pjesa që e pason deri në faljen e namazit të jacisë me teravinë.
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë mbrëmje besimi, për iftarin vëllazëror në oborrin e tokës së begatë të Xhamisë së Plumbit.
Myftiu dha disa mesazhe, duke u përqendruar te domosdoshmëria e reflektimit të muslimanëve shqiptarë, për të parë se çfarë pasojash i solli vendit tonë dekadenca komuniste dhe politikat aktuale të deformimit të moralit, degradimit shoqëror, skamjes e varfërimit të shoqërisë, duke e luftuar besimin dhe fenë me metoda të reja.
Myftiu ftoi të pranishmit të luten dhe të punojnë fort për Thirrjen Islame, duke u kthyr në thirrës që nuk tundohen as frikësohen për të ftuar shoqërinë drejt besimit dhe fesë islame, si shërim garant për lëngatat e shumta të saj.
Në program ishin rezervuar edhe dy ligjërata fetare, që u mbajtën nga H.Edmir Smajlaj, Myfti i Malësisë së Madhe dhe Hafiz Ensar Ismalaj, i diplomuar i teologjisë në Universitetin e Medines.
Ligjëruesit dhanë mesazhe të urta e të dobishme, që lidhen me përfitimin nga agjërimi i Ramazanit dhe hapjen e dyerve të zemrës ndaj thirrjes së All-llahut të Madhëruar në jetë.
Para kohës së iftarit, H. Yakup Avci, i ardhur nga Turqia, lexoi një pjesë kur’anore dhe këndoi ezanin e akshamit të kësaj dite të begatë.
Pas iftarit në shesh, H. Fejzi Zaganjori bëri një lutje, duke kërkuar bekime e begati për besimtarët agjërues, Shkodrën, Shqipërinë dhe mbarë ymmetin islam.
Pas faljes së akshamit me xhemat, të pranishmit kaluan disa momente të këndshme, shoqëruar nga biseda vëllazërore, bashkëbisedime, pyetje-përgjie me imamët e pranishëm.
Me shumë emocion u ndoq dokumentari me rastin e 25 vjetorit të rihapjes së Xhamisë së Plumbit, ku u dëgjua plot kumbim zëri i Hafiz Sabri Koçit, emocionet e H. Faik Hoxhës, H. Faik Zaganjorit, H. Xhelal Sokolit, H. Mithat Myftisë etj.
Aktiviteti u pasua nga ligjërata e teologut Lavdrim Hamja, i cili hodhi dritë mbi vlerën e kthimit nga All-llahu i Madhëruar, me përulje, dashuri e dinjitet. Imamimi nderuar theksoi se edukata dhe urtësia janë dy cilësi të besimtarit, në rrugëtimet e tij drejt Zotit.
Pas ligjëratës, Myftiuni Shkodrës bëri një falënderim për ekipin e Myftinisë Shkodër dhe të pranishmit, për emocionet e përjetuara në këtë natë dhe mbarësinë e këtij aktiviteti risi.
Ezani i jacisë u këndua nga teologu i nderuar, Alban Kali, i cili ftoi besimtarët për namazin e fundit të ditës dhe atë të teravisë, që u fal me xhemat nën drejtimin e H. Ibrahim Aslan.
Me rastin e kësaj Mbrëmjeje Fetare, Myftinia Shkodër shpërndau për të pranishmit edhe botimin e saj më të ri, titulluar: “25 vjetori i një dëshmie historike”, si dhe një kopje të Kur’anit me përkthim të kuptimeve në gjuhën shqipe, mundësuar nga Qendra Islame Shqiptare “El-Buhari” në Vjenë të Austrisë.