Mesazhe shprese, ilahi dhe dhikre në xhaminë e Rusit

Ditën e mërkurë, më 3 prill 2019, Myftinia Shkodër organizoi një mbrëmje fetare me temë: “Dhikri dhe vlerat e tij”, në xhaminë e Rusit.

Ligjëratat e këtij tubimi me vlerë u përqendruan tek mirësia dhe vlerat e mëdha që ka përmendja e All-llahut në jetë, bazuar në shumësinë e ajeteve kur’anore dhe haditheve të transmetuara nga i Dërguari i All-llahut.

Në hyrje, teologu Lavdrim Hamja, vuri theksin te rëndësia e temës së ligjëratave të kësaj mbrëmje, duke spikatur se pas vitit 1990, misionarë të shumtë që erdhën në vendin tonë, u përpoqën të përhapnin një frymë që bie ndesh me traditat dhe trashëgiminë shekullore islame në vendin tonë, sidomos ato që lidhen me botën shpirtërore dhe tubimet e begata të muslimanëve.

Aktivitetin e përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili theksoi se tema e dhikrit dhe vlerave të tij, është tematika më e theksuar në Kur’anin Famëlartë dhe ftesa më e spikatur në Librin e All-llahut!

Ai tha se njerëzit sot, kanë nevojë të kthehen nga Zoti dhe përmendja e vazhdueshme e Tij, me qëllim që të rregullohet jeta e tyre dhe të mbizotërojë paqja e brendshme kudo në shoqëri.

Ligjërata e parë u mbajt nga teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë, i cili u zgjerua në ligjëratën e tij në ajetet dhe hadithet, që nxisin dhikrin dhe afrimin me All-llahun e Madhëruar, sikurse rrëfeu edhe ngjarje dhe ndodhi nga e shkuara dhe e sotmja, ku nëpërmjet shembujve konkretë pasuroi temën e ligjëratës.

Aktiviteti vijoi me këndimin e ilahive të përzgjedhura nga H. Shukri Kapllan, që u shoqërua edhe nga xhemati, në një atmosferë të këndshme besimi dhe adhurimi.

Më pas, imami i xhamisë së lagjes Rus, H. Fejzi Zaganjori, u përqendrua tek vlerat që i jep dhikri i Zotit, jetës së njeriut, si një krijesë dualiste.

Imami i nderuar nuk la pa përmendur edhe realitetet e zymta nëpër të cilat kalon sot vendi ynë, ku përhapja e korrupsionit, imoralitetit, mashtrimit e krimit, pasigurisë dhe antivlerave, e marrin vendin dhe shoqërinë drejt shkatërrimit.

Ai theksoi se kthimi nga dera e besimit dhe lidhja me Zotin, është zgjidhja dhe shpresa për të sotmen dhe të ardhmen.