Paraditën e së enjtes, më 4 prill 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar nga imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja, zhvilloi një vizitë në selinë e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), ku zhvilluan një baahkëbisedim të ngrohtë me drejtorin e Institutit, dr. Ardian Muhaj dhe nëndrejtorin, z. Alban Kodra.
Qëllimi i kësaj vizite ishte zgjerimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Me rastin e kësaj vizite, Myftiu uroi dr. Ardian Muhaj për drejtimin e AIITC, me lutjet për mbarësi dhe suksese të vazhdueshme.
Ai shprehu gjithashtu edhe mirënjohjen dhe vlerësimin e veçantë për kontributin shumëvjeçar të AIITC-së nën drejtimin e të nderuarit, prof. as. dr. Ramiz Zekaj, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar për kulturën shqiptare dhe vlerat islame në vendin tonë.
Myftiu vlerësoi botimet cilësore në fusha të ndryshme të dijes, me të cilat AIITC ka gjallëruar librotekën shqiptare dhe atë islame në gjuhën shqipe, në veçanti.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu vizitoi edhe ambientet e pasura të AIITC, sikurse uroi stafin për përkushtimin dhe punën e madhe.