Kiras, u mbajt hytbeja e fundit në prag të fillimit të xhamisë së re

Ditën e xhuma, më 19 prill 2019, u fal e xhumaja e fundit në xhaminë aktuale të Kirasit, në prag të fillimit të punimeve për kompleksin e ri islam të lagjes.

Në hytben e mbajtur me këtë rast, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, theksoi se xhamia e Kirasit, ka shërbyer që në fillimet e rimëkëmbjes islame në Shkodër, pas vitit 1990, si një djep, ku u përkund fryma e organizimit të bashkësisë islame të Shkodrës.

Ai tha se, përtej përmasave të objektit të vjetër, ai ishte i mbushur me sinqeritet dhe dëshirë për të bërë më të mirën e mundshme në rrugën e rimëkëmbjes, pas periudhës së errët të sistemit komunist.

Ai përmendi vizitat historike të dijetarëve dhe thirrësve elitarë me famë botërore, si: Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, Shejkh Abdulkader Arnauti, Imam Vehbi Ismali, etj., që ishin të parët që iu gjendën Shkodrës muslimane në ditët e saj më të vështira.

Njëkohësisht, Myftiu falënderoi imamët e periudhës 25 vjeçare, 1994-2019, duke filluar nga i nderuari Hafiz Sulejman Kraja, z. Xhavit Sokoli, teologu Dritan Rrahmani, teologu Ylli Buraniqi dhe imami aktual, teologu Ruzhdi Plangaj, për angazhimet, përkushtimin dhe punën e tyre në shërbim të Thirrjes Islame.

Në hytben e tij, Myftiu prezantoi edhe projektin e ri të xhamisë së re, e cila pritet të fillojë punimet shumë shpejt dhe të plotësojë nevojat e komunitetit.