Ditën e diel, më 21 prill 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, gjatë vizitës në Arqipeshkvinë e Shkodrës, uroi arqipeshkvin Angjelo Massafra dhe krejt komunitetin katolik të Shkodtës me rastin e Pashkëve katolike.
Më herët, në një postim në fb, Myftiu ndau me lexuesit mesazhin e kësaj dite, ku theksoi:
“Të xhumanë, muslimanët e mbarë botës përkujtuan Natën e Madhe të pastrimit të zemrave nga format e idhujtarisë, nga urrejtja e zilia, nga e keqja!
Një ditë më pas, 20 prilli, na solli në vëmendje përkujtimin e lindjes së begatë të Hz. Muhammedit (a.s.), të dërguarit mëshirë për gjithësinë!
Edhe më pak se dy javë presim Hanën e re të Ramazanit, ardhtë me bardhësi e bekim!
Sot, bota e krishterë feston njërën prej dy festave të saj më të mëdha, Pashkët.
Si të thuash, muslimanë e të krishterë, në këto ditë jemi më të angazhuar se kurrë për t’u kthyer nga besimi dhe vlerat e tij, duke e ba lanet shejtanin me vepra e sjellje, me përkushtim e dashuri për Fjalën e Zotit dhe udhëzimin e Tij.
Në qorrsokakun ku ka hyrë shoqëria e jonë dhe mbarë njerëzimi, vetëm të kthyerit me zemër e përkushtim nga Zoti është alternativa që asnjëherë s’e ka zhgënjyer njeriun në rrugëtimet e tij për t’u dëshmuar si mëkëmbës i Zotit në këtë jetë!”