E diel, më 28 prill 2019. Është ditë pushimi, por për besimtarët e lagjes Kiras është një ditë e përshtatshme për të vijuar aksionin për përgatitjen e terrenit për fillimin e themeleve të xhamisë së re.
Ditën e sotme, besimtarët u vizituan edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili ndau gëzimin e tij me të pranishmit, duke theksuar se momenti i fillimit të punimeve për xhaminë e re, do të jetë fillimi i një realiteti të ri për lagjen Kiras dhe besimtarët muslimanë të Shkodrës.
Myftiu theksoi se xhamia aktuale e ka kryer më së miri funksionin e saj dhe se dëmtimet e saj janë të një grade që detyruan angazhimin dhe lobimin për zëvendësimin e saj me një xhami të re, të pajisur edhe me ambiente të përshtatshme për kryerjen e aktivitetit fetar e kulturor për të cilët ka nevojë komuniteti.
Myftiu ndau këto mesazhe me imamin e xhamisë, teologun Ruzhdi Plangaj dhe të pranishmit e tjerë, duke uruar mbarësi në këtë angazhim të madh e të dobishëm për lagjen Kiras dhe qytetin e Shkodrës.