Mbrëmjen e së enjtes, më 16 maj 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i ftuar në emisionin “Perspektivë”, në Tv1 Channel, ku dha mesazhe të shumta që lidhen me agjërimin e Ramazanit, vlerën e Kur’anit, reflektimin e agjërimit tek besimtarët, etj.
Myftiu vuri në pah rëndësinë e madhe që ka Muaji Ramazan, si një mundësi e madhe që i ofrohet besimtarëve muslimanë për të vendosur në ekuilibër të shëndoshë marrëdhënien me All-llahun e Madhëruar, Zotin e vetëm të gjithësisë.
Ai tha se agjërimi e ndihmon njeriun për të reflektuar në rrugën e gjetjes së dritës së besimit në jetë.
Myftiu kërkoi që atmosfera e Ramazanit të reflektohet edhe në jetën e përditshme, në rrugë, në institucione, kudo ku njerëzit kanë mundësi të shohin dhe të kuptojnë se këto ditë janë të veçanta, ditë adhurimi, pajtimi, faljeje, bamirësie dhe lartësimi në gradët më të larta të besimit.
Ai foli edhe mbi vlerën e Natës së Kadrit, si nata në të cilën filloi shpallja e Kur’anit. Ai tërhoqi vëmendjen e teleshikuesit se ky moment na shërben për të parë më me vëmendje Librin e All-llahut, i cili mbetet garanci dhe siguri për njerëzimin.