Të dashur dhe të shtrenjtë besimtarë muslimanë,
Tashmë që po bëhemi gati të mbërrijmë periudhën e tretë të Muajit të begatë të Ramazanit 1440, më lejoni t’ju drejtohem me disa këshilla, me qëllimin e mirë të shfrytëzimit të kohës dhe mundësive të mëdha që na ofron Zoti i gjithësisë nëpërmjet këtij Muaji!
📌 Të shfrytëzojmë maksimalisht kohën për kryerjen e namazeve me xhematë në xhami, duke dëshmuar bindje dhe respekt ndaj thirrjes së shenjtë të ezanit.
✅ Të shfrytëzojmë netët e mbetura të këtij Mubarek, për të falur të plotë namazin e teravisë me xhematë në xhami, duke dalë nga xhamia pasi imami të ketë kryer, si dhe të përgatisim familjen për lutje e adhurime shtesë në shtëpitë tona.
🚫 Të qëndrojmë larg debateve, grindjeve, fyerjeve e sharjeve, të cilat e prishin përshpirtjen e Ramazanit. Ruaje gjuhën me të cilën i bën dhikër All-llahut, me të cilën i falesh dhe i drejtohesh me lutje. Gjuha e jote përkthen më së miri gjendjen e zemrës.
🥛Kush ka mundësi të shtrojë iftar a të këmbejë një hurmë a një gotë uji me tjetrin, mos ta neglizhojë. E pakëta në sytë tonë, është më e madhe, sesa mund ta perceptojmë, tek Zoti ynë!
📖 Të shfrytëzojmë kohën për të bërë një hatme Kur’ani. Nëse nuk e ke nisur akoma, shpejto se koha është e çmuar në Ramazan.
🤲 Lutu dhe kërko nga Zoti yt më të mirën e mundshme! Lutu për familjen, për prindët, për të afërmit, për shoqërinë, për bashkëqytetarët e atdheun tënd! Mos harro në lutje hakun e vëllazërisë së shenjtë islame, sepse ymeti i Hz. Muhammedit (a.s.) janë një familje e madhe vlerash.
📿 Shtoje dhikrin dhe lutu që All-llahu i Madhëruar të të japë mbarësi të jesh korrekt me virdin tënd ditor.
🕌 Shtoje vizitën e xhamive të shumta që kemi, elhamdulilah, për faljen e namazeve të ndryshme, sepse toka do të dëshmojë për ty në ditën e gjykimit.
⏳ Shfrytëzoje kohën për vepra të dobishme, mos e humb atë, sepse nuk ka pendim më të madh, por më të pa vlerë, sesa pendimi për kohën e humbur.
🤝 Trego mëshirë ndaj krijesave të Zotit, dëshmo qytetari e afrohu me Zotin tënd nëpërmjet shpërndarjes së mirësisë. Mëshiruesit i mëshiron Mëshiruesi!
📺 Mos e humb ditën e agjërimit para tv, rrjeteve sociale e bisedave të padobishme, që të hutojnë e të marrin shpërblimet e mundshme të Ramazanit.
💡Prezanto në mexhliset e dijes dhe mos lër asnjë ditë të të kalojë pa një dobi, me të cilën gjallëron zemrën, ndriçon mendjen, lartësohesh drejt pëlqimeve të Zotit tënd.
🛍 Jep sadeka dhe ndihmo atë që ka nevojë. Mos e paragjyko vlerën materiale të saj, mendo për dobinë që i sjell dikujt nëpërmjet saj! Sadekaja shton begatinë dhe të zbut zemrën.
🙂 Buzëqesh se buzëqeshja është fisnikëri që shpërblehet tek Krijuesi i gjithësisë.
All-llahu ju pranoftë adhurimet, bamirësitë e sakrificat tuaja! All-llahu ju dashtë e ju pastë në mbrojtje!
Myftiu i juaj,
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 23 maj 2019