Mbrëmjen e së mërkurës, më 22 maj 2019, Myftinia Shkodër organizoi “Iftarin e bujarisë shkodrane”, ku ishin të ftuar autoritete të qytetit, drejtues të komuniteteve fetare, shoqatave bamirëse, drejtues të myftinive Prizren dhe Ulqin, imamë e këshilltarë, pedagogë dhe intelektualë të qytetit të Shkodrës.
Në këtë sofër të harmonisë ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu me bashkëpunëtorë.
Në prag të iftarit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, falënderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre, sikurse u lut që All-llahu i Madhëruar ta begatojë Shkodrën dhe shkodranët, Shqipërinë dhe shqiptarët në krejt trojet tona, si dhe të mbulojë njerëzimin me mëshirën dhe bekimet e Tij.
Një urim me rastin e kësaj mbrëmje dha edhe Kryetari i KMSh-së, i cili vlerësoi tubimin e autoriteteve të qytetit të Shkodrës, drejtuesve të komuniteteve fetare, miqve dhe vëllezërve nga Prizreni dhe të pranishëmve në këtë natë Ramazani, sikurse u lut për paqe e begati për vendin dhe mbarë njerëzimin.
Iftari u shoqërua me biseda të dobishme dhe këmbim të urimeve, që nuk munguan edhe nga Kryetarja e Bashkisë Shkodër, znj. Voltana Ademi, si dhe ish-Kryetari i K.B.I. Prizren, H. Lutfi Ballek dhe Kryeimami i Ulqinit, Mr. Ali Bardhi.