Zhvillohet seminari trajnues mbi jetën e Hz. Muhammedit (a.s.)

Paraditën e së mërkurës, më 10 korrik 2019, Myftinia Shkodër organizoi seminarin e specializuar trajnues për imamët, teologët dhe thirrësit islamë arabishtfolës, me temë: “Biografia e të Dërguarit të All-llahut (a.s.) përmes përdorimit të metodave të larmishme”, me ligjërues personalitetin e shquar të kësaj lëmie, Dr. Ammar M. Munla, nga Medina e Arabisë Saudite.

Kush është Dr. Ammar M. Munla:

Ka mbaruar studimet e larta për Bazat e Fesë (Usulud-Din) në universitetin Umul-Kura, Mekë, Arabia Saudite. Nivelin Master dhe Doktoraturën e ka mbrojtur në të njëjtin universitet, për Kur’an dhe Traditë Profetike. Është autor dhe bashkautor i disa librave në fushën e Kur’anit Famëlartë dhe Traditës Profetike.

Është organizator i një kursi shkencor për Biografinë e Profetit (a.s), kurator i disa ekspozitave, trajnues i ekipeve që ofrojnë ekspozita të biografisë së Profetit (a.s) në Francë,Gjermani, Zvicër, Emirate të Bashkuara Arabe, Turqi, Kanada, Bahrejn, Arabia Saudite, Belgjikë, Katar, Marok, Algjeri, Suedi, Itali, Holandë, Norvegji, Bosnje, Islandë, Rumani, Danimarkët etj. Gjithashtu është autor i disa kërkimeve shkencore në fushën e studimeve të Kur’anit dhe Traditës Profetike.