Myftiu, imamëve: “Të mos biem në batakun e provokimeve primitive islamofobe!”

Paraditën e së hënës, më 8 korrik 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit e fshatit.

Në qendër të vëmendjes ishte situata aktuale, nëpër të cilën kalon vendi dhe përpjekja e qarqeve të caktuar për të mbuluar katrahurën ku është zhytur vendi, me provokime banale me bosht islam, si cytjet e disave për të provokuar debate shterpë rreth ezanit, hixhabit, çështjeve të ndryshme islame, etj.

Myftiu kërkoi nga imamët të mos bien në nivelin e ulët të këtyre provokimeve islamofobe, që duan të largojnë vëmendjen e masës nga realiteti ku gjendet vendi, mjerisht.

Myftiu lajmëroi edhe për incidentin e radhës me zaptuesin e vakëfit në Zogaj. Ai shprehu vullnetin e tij për ta çuar deri në fund rrethimin e vakëfit dhe këputjen e tentakulave të së keqes që pengojnë zhvillimin e tij në Zogaj dhe përtej saj!

Më pas, u diskutua edhe për disa çështje që lidhen me aktivitetin e brendshëm të xhamive dhe Myftinisë Shkodër, inaugurimin e xhamisë në lagjen Draçin, vazhdimin e punimeve për xhamitë e reja në Kiras e Shirq, angazhimin për projektin e xhamisë së re në Rus, interesimin për gjetjen e një hapësire për xhaminë e munguar në Dobraç, si dhe shfrytëzimin e disa vakëfeve në Shkodër.