Pasditen e së xhumasë, më 19 korrik 2019, Myftinia Shkodër dhe Këshilli i Bashkisë Shkodër, organizuan ceremoninë e dhënies së vlerësimit: “Mirënjohja e Qytetit”, imamit të xhamisë së lagjes Rus, të nderuarit H. Fejzi Zaganjori.
Ceremoninë e përshëndeti Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, i cili vlerësoi kontributin e H. Fejzi Zaganjorit, si imam, vaiz, pajtimtar, kronikan e veprimtar i zellshëm i pajtimit kombëtar dhe paqes sociale.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Xhemal Bushati, para dorëzimit të Certifikatës “Mirënjohja e Qytetit”, vlerësoi kontributet e H. Fejzi Zaganjorit, sidomos në vitin 1997, ku së bashku edhe me drejtues të institucioneve fetare në vend, dha një kontribut të dëshmuar për përhapjen e frymës së pajtimit dhe uljen e armëve.
Me shumë emocion, imami i nderuar mori vlerësimin e bërë nga Këshilli Bashkiak, sikurse iu drejtua të pranishëmve me falënderime dhe këshilla të dobishme, të përligjura me moshën dhe eksperiencat e tij të shumta.
Ceremoninë e përshëndeti edhe këshilltari z. Maxhid Cungu, si dhe teologu Arben Halluni.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin familjarë e të afërm të H. Fejzi Zaganjorit, imamë e veprimtarë të Myftinisë Shkodër, deputetë, këshilltarë, intelektualë, drejtues të shoqatave, përfaqësues të komuniteteve fetare, etj.