Takim ndërfetar me studentë nga Italia

Pasditën e së enjtes, më 25 korrik 2019, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në përgjigje të ftesës së bërë nga Arqipeshkvi i Shkodrës, mons. Angelo Massafra, mori pjesë në një takim ndërfetar me studentë nga Italia dhe vende të tjera të Europës, organizuar në Shëngjin të Lezhës nga Universiteta Cattolica del Sacro Cuore.

Gjatë bashkëbisedimit të ngrohtë me studentët, Myftiu hodhi dritë mbi vlerësimin që i bën feja islame marrëdhënieve të shëndosha të njeriut me vëllanë e tij njeri, përtej besimit.

Ai solli në vëmendje të studentëve ajete dhe ndodhi nga jeta e të Dërguarit të All-llahut, Hz. Muhammedit (a.s.), historisë së shkuar islame dhe realiteteve shqiptare t shekujve të shkuar, deri në ditët e sotme, që kanë të bëjnë me thelbin e temës së bashkëjetesës në mesin e popujve e shoqërive me besime të ndryshme, pa frikë e pa paragjykime.

Në tryezën ndërfetare u diskutua edhe çështja e emigrimit dhe përballjes me këtë fenomen nga pikëpamja e besimit dhe fesë.

Studentët dëgjuan referatet dhe ndërhyrjet e ndryshme nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, Arqipeshkvi Shkodër-Pult, Mons. Angelo Massfra dhe Famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, At Nikolla Petani.