Ditën e xhuma, më 26 korrik 2019, Myftinia Shkodër organizoi ceremoninë tradicionale të lajmërimit publik të emrave të haxhilerëve të vitit, si dhe shpërndarjen e ihrameve dhe vizave të haxhit.
Para të pranishëmve, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, uroi haxhilerët dhe të pranishmit, duke theksuar se Shkodra është e bekuar nga All-llahu i Madhëruar, i Cili lejoi që nga kjo tokë, edhe këtë vit, një grup besimtarësh të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta për të kryer Haxhin.
Ai vijoi: “Haxhilerë të nderuar, që nga ky moment, ju duhet të ndjeheni të lumtur, sepse Resulull-llahu (a.s.) ju ka bërë një dhuratë të jashtëzakonshme. Ndoshta nuk e dini, ose ju ka kaluar pa u ndalur me vëmendje para saj.
Ai është lutur për ju: “All-llahumme fale haxhiun…”! A keni dyshim në pranimin e kësaj lutjeje? Por, ka edhe më shumë. Ai (a.s.) ka vijuar në lutjen e tij drejtuar Krijuesit të gjithësisë: “… dhe këdo, për të cilin haxhiu kërkon falje!”.
Prandaj merreni këtë bekim dhe përhapeni kudo me të afërmit dhe të dashurit tuaj!”.
Në vijim, u lexuan emrat dhe u bë shpërndarja e ihrameve dhe vizave për krejt grupin e 36 të regjistruarve për Haxhin e këtij viti.
Pas faljes së namazit të xhumasë, u bë edhe përshëndetja me haxhilerët, të cilët bëhen gati për udhëtimin e ditës së enjte, më 1 gusht 2019, ora: 8.30, para xhamisë së Parrucës.