Ditën e xhuma, më 18 tetor 2019, nga xhamia e Parrucës, mendimtari i shquar islam nga Damasku, Dr. Salahudin Ahmed Keftaro, shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për Myftiun dhe Myftininë e Shkodrës për ftesën bujare për të ligjëruar në mesin e besimtarëve të shumtë në ditën e begatë të xhumasë.
Dr. Keftaro dha disa mesazhe me vlerë për besimtarët e kryeqendrës së Veriut, ku fillimisht shprehu mirënjohjen e tij në drejtim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, për pritjen e përzemërt dhe bashkëbisedimin plot vlerë.
Njëkohësisht, ai tha se Siria kaloi një periudhë të vështirë dhe një sprovë të madhe, që tashmë është kapërcyer dhe djepi i qyterimeve të mëdha botërore i shpëtoi copëtimit.
Ai vlerësoi gjurmët e bashkëjetesës ndërfetare në Shkodër e Shqipëri, ku tha se, njësoj si në Siri e Damask, edhe në Shqipëri e Shkodër, prania e kishës bri xhamisë mbetet përherë një thirrje dhe nxitje drejt harmonisë dhe bashkëjetesës në paqe.
Dr. Salahudin Ahmed Keftaro tha se kohëve të fundit Islami dhe muslimanët janë etiketuar me cilësime të pavërteta e të padrejta, por sikurse thotë edhe fjala e urtë: “Njeriu është armik i asaj që injoron”. Prandaj, lypset që secili prej nesh ta prezantojë sa më mirë Islamin, si një fé e paqes dhe e bashkëpunimit në mesin e njerëzve.