Janë të shumta ajetet kur’anore që na nxisin drejt punës. Islami është fé e gjallërisë, e jetës, e lodhjes dhe përkushtimit.
Po të lexojmë me vëmendje në Librin e All-llahut, do të gjejmë se, shumë prej të dërguarve të Tij kishin zanate, bënin punë dhe ishin shembull i përkushtimit në jetë.
Hz. Ibrahimi dhe Hz. Ismaili, babë e bir, u urdhëruan nga Zoti i botëve për të ndërtuar Qaben e Madhnueshme. Punuan ditë-natë për të realizuar “shtëpinë e parë të adhurimit mbi tokë”!
Hz. Davudi, mbreti i madh dhe njeriu i pushtetshëm, të cilit, Zoti i gjithësisë i mundësoi përpunimin e hekurit. Punonte në punishten e tij dhe prodhonte mjete të ndryshme në dobi të shoqërisë së tij!
Hz. Jusufi, ekonomisti dhe administratori më i shquar i historisë së njerëzimit, të cilit, Krijuesi Fuqiplotë i dha aftësi të jashtëzakonshme në amdinistrimin e ekonomisë së vendit të tij, në një situatë kaotike!
Islami është fé e punës dhe sakrificës, jo e ëndrrave dhe enigmave! Ëndrrat i përkasin botës së gjumit, ndërsa ne jemi të ftuar të zgjohemi e mos të vdesim në gjumë!
Hz. Zekerija, zdrukthëtari i famshëm, për zanatin e të cilit na mësoi pejgamberi ynë (a.s.)!
Shembuj pa fund, që na frymëzojnë drejt ndërtimit të jetës bazuar tek aftësitë dhe puna, tek lodhja dhe sakrifica, tek mundi dhe djersa, mbështetur në Zotin dhe me dritën e Tij para syve!
Prandaj, thirrja ime drejtuar të rinjve është angazhimi për të shfrytëzuar kohën e mundësitë, për të arritur rezultatet më të mira në studime e zanate, për t’a dëshmuar Islamin nëpërmjet shembujve të përparimit konkret me vepra e arritje, që i sjellin dobi familjes, shoqërisë, kombit, ymetit e mbarë njerëzimit!
(Nga hytbeja e xhumasë, mbajtur nga
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari,
më 22 nëntor 2019, në xhaminë e “Dy Vajzave”)