Të dëshmojmë botërisht lidhjen tonë me emrin e Hz. Muhammedit (a.s.)!

Sfida e jonë, të dashurit e mi, është angazhimi për të dëshmuar botërisht dhe pa asnjë lloj pengese përkatësinë tonë të shenjtë fetare! Përkatësinë tonë të shenjtë, që lidhet me emrin e Hz. Muhammedit (a.s.)!

Ju e shikoni sot, se si në vende të ndryshme të botës, nga lindja në perëndim, muslimanët po vriten, po u shkelen të drejtat në mënyrën më barbare, nga ata që pretendojnë civilizimin dhe zhvillimin e botës!

Ju po e shihni edhe në vendin tonë se si trajtohen muslimanët, se si ka një tendencë për ta zhveshur Islamin nga zemra dhe shpirti i shqiptarëve! Se si ka një tendencë të pandershme, edhe nga njerëz me rrobën fetare, për të luajtur pandershmërisht me simbolet fetare!

Po e shikoni ditë pas dite, se si ka një përpjekje për të edukuar brezin e ri me një frymë që nuk është fryma islame, edhe pse ata janë bijtë e muslimanëve!

Prandaj, nuk duhet t’i dridhet goja, zemra e shpirti muslimanit shqiptar për ta dëshmuar identitetin e tij!

Nëse dikush ka të drejtë të mburret me historinë e tij të bardhë dhe të ndershme, jemi ne muslimanët! Se, historia e jonë është histori lavdie!

Na mjafton ne muslimanëve shqiptarë të mburremi e të ndjehemi krenarë me Sulltan Mehmet Fatihun dhe sulltanët e hilafetit tonë osman, se jemi pjesë e tij, jemi ndërtues të botës, jemi përhapës të civilizimeve, jemi përhapës të dritës së Hazreti Pejgamberit tonë (a.s.)!

Përse të tundohet atëherë muslimani i sotëm dhe t’i kthejë shpinën fesë së tij? Prej kujt? Nga frika e kujt, a nga tundimi i kujt?

Shikoni, atje ku ju tërheqin për të shkuar e për t’u kthyer, se çfarë modelesh dekadente ka, kur bëhet fjalë për familjen, për nderin, për besën, për pastërtinë, për besimin! Shikoni, shikoni!

Prandaj, ne si muslimanë, e kemi për detyrë ta ruajmë fort fenë e All-llahut të Madhëruar dhe jo të ulim krye e të fshihemi!

Ne nuk fusim hundët në punët e të tjerëve, por ne kemi modelin më të mirë të mundshëm, modelin më të pastër të mundshëm, modelin më krenar të mundshëm dhe, i kthejmë shpinën?!

A mos vallë kemi gjetur diçka më të mirë se Kur’ani Famëlartë? Jo pasha All-llahun, nuk ka! A mos vallë kemi gjetur diçka më të mirë se Drita e Hazreti Muhammedit (a.s.)? Jo pasha All-llahun, nuk ka! A mos vallë kemi gjetur diçka më të mirë se tradita e baballarëve, hoxhallarëve tanë e të shkuarve tanë, që ishin dhe ngelen nderi i jonë dhe krenaria e jonë? Jo pasha All-llahun, nuk ka!

Atëherë, çfarë është, të dashurit e mi? Kjo është një pyetje që duhet t’ia drejtojë gjithësecili vetes së tij, duke pa në familjen e tij, fëmijët e tij e të afërmit e tij, sidomos sot, që po prishen zemrat e po shpërbëhet dashamirësia dhe afrimiteti në mesin e njerëzve!

Prandaj ejani të kthehemi nga feja e All-llahut e të jetojmë me dinjitet si muslimanë të ndershëm e të përkushtuar ndaj fesë së tyre, që tolerojnë ku duhet e, që mbrojnë me dinjitet e pa asnjë lëshim shenjtëritë dhe modelet e shëndosha shekullore!

(Nga hytbeja e xhumasë, më 27 dhjetor 2019, në xhaminë e Dërgutit)