Ditën e martë, më 24 mars 2020, në një lidhje të drejtpërdrejt në Tv1 Channel, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed B. Sytari dha mesazhet e tij drejtuar qytetarëve, ku u shpreh se realitetet e sotme na imponojnë të meditojmë e të reflektojmë rreth hakut të Zotit, mirësive dhe bekimeve me të cilat është zbukuruar jeta e njeriut.
Myftiu theksoi se përtej faktit se dyert e xhamive janë të mbyllura për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes, çdo shtëpi e jona duhet kthyer në xhami, ku pjestarët e familjes të kryejnë faljet ditore, lutjet e adhurimet e ndryshme. Sepse, namazi në shtëpi në këto ditë ka një shpërblim të veçantë tek Krijuesi i gjithësisë.
Ai bëri thirrje që në këto ditë të vështira për njerëzimin, njerëzit të mos e humbasin shpresën dhe besimin në Zot, sepse Ai që na ka krijuar nga asgjëja dhe na ka rrethuar me dashuri e mëshirë, nuk do na braktisë në këto momente, kur të gjithë lutemi e shpresojmë në mëshirën e Tij.
Myftiu përmendi edhe ndihmën ndaj nevojtarëve, ku theksoi se të gjithë jemi të ftuar të ndihmojmë e të përkrahim skamnorët, jetimët e nevojtarët e shumtë. Në këtë kontekst, ai theksoi se edhe Myftinia Shkodër në bashkëpunim me institucionet bamirëse, shoqata e fondacione, po bën sa ka mundësi për të ndihmuar familje në nevojë në zonën e Shkodrës.
Myftiu iu drejtua qytetarëve me lutjen që mos të dëshpërohen, të mbështeten tek Zoti i tyre, të kërkojnë prej Tij me zemër dhe të luten në shtëpitë e tyre për më të mirën, për vete dhe për mbarë njerëzimin.