Të dashur vëllezër e motra, besimtarë!
Ndoshta e keni vënë re se çdo ditë të xhuma, para kohës së ezanit të drekës, nga minaret e xhamisë tonë dëgjohet sureja “El-Kehf”, të cilën, Resulull-llahu (a.s.) na e ka pëlqyer ta lexojmë pikërisht në ditën e xhuma.
Kjo sure ka udhëzime dhe mësime të shumta, por në krye të herës, ajo është sureja e rinisë! Edhe vetë emërtimi i saj me fjalën: “El-Kehf”, që në arabisht i thonë shpellës, e përforcon këtë konkluzion.
Po çfarë është kjo shpellë dhe çfarë lidhje ka me rininë? Pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i saj!
All-llahu i Madhëruar thotë: “Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë.” – (Kur’ani, El-Kehf: 13).
Pra, një grup të rinjsh të vendosur, që nga pamundësia për të dëshmuar besimin e tyre në liri, u detyruan të strehohen në një guvë në mal.
Zoti i gjithësisë, me urtësinë e Tij, nuk na i përmendi emrat e atyre të rinjve, në mënyrë që mos të konsiderohej më pas si veprim i veçuar, porse i bëri ata shembull deri në ditën e fundit, si rrezatim drite, shprese e besimi për krejt të rinjtë, deri në ditën e fundit të kësaj bote!
All-llahu i Madhëruar nuk i braktisi djelmoshat besimtarë, të vendosur dhe të qartë në besimin dhe thirrjen e tyre të shpirtit! Si për të na thënë të gjithëve sot, se përtej vështirësive të jetës, nëse jemi të vendosur në besimin tonë, qëndrestar përballë sprovave e vështirësive të ndryshme, pa asnjë dyshim që ndihma e Zotit do të jetë pranë nesh, njësoj si në rastin e djemve të Shpellës!
Në realitetet e përditshme, kemi nevojë që djemtë tanë dhe vajzat tona, të distancohen nga e keqja.
Sot flitet gjithandej për distancimin social. Kur’ani Famëlartë flet për distancimin nga e keqja. Distancimi social është një shpikje e kohëve të reja, shpikje e situatës së re, ku kërkohet që njerëzit të mbajnë distanca nga njëri-tjetri. Islami flet për një distancim tjetër, atë të vërtetin: nga e keqja!
Rinia shqiptare përballet me sfida nga më të ndryshmet. Sfida e sigurisë, ajo e arsimimit, sfida e mosshpërblimit të sakrificës së arsimimit. Kryhen disa vite shkollë, kryhet universiteti, pastaj ka një plogështi, ka një humnerë të madhe para tyre! Nuk ka të ardhme! Nuk ka mundësi për të nxjerrë në pah gjithësecili prej të rinjve tanë aftësitë e tyre, dijenitë e fituara!
Këto janë sfida të mëdha, me të cilat përballet rinia e sotme! Janë sfida për të cilat duhet të mendojmë të gjithë, sepse duhet të dalë një herë e përgjithmonë kjo shoqëri shqiptare prej këtyre humnerave ku e kanë sjellë politikat e gabuara të këtij vendi, për fat të keq!
Në jetën e Pejgamberit tonë (a.s.) ka të rinj të shumtë, të cilët kanë spikatur me aftësitë e tyre, me besimin e tyre. Ata janë modele që na frymëzojnë edhe ne sot, për të parë në sy realitetet me të cilat përballemi!
Me edukimin dhe spikatjen e aftësive, Islami të jep edhe në moshë fare të re garancinë, forcën, besimin për të besuar tek aftësitë tuaja dhe për të bërë më të mirën për veten dhe për shoqërinë!
A kemi ne sot, në realitetet shqiptare djem të rinj, që kanë aftësi të ndryshme, por që askush nuk i ngacmon këto mirësi që Zoti ia ka dhanë, për të parë bereqetin dhe mirësinë e tyre në shoqërinë tonë! Për t’u kthyer ajo aftësi në një kredo për shoqërinë tonë.
Sa e sa të rinj, që janë të aftë në fusha të ndryshme të dijes, të shkencës, por që kalojnë kohën pa mundësi për të nxjerrë në pah këto mirësi, me të cilat i ka begatuar Zoti në jetën e tyre!
Sa kanë nevojë realitetet tona për djem të rinj që kanë shpresë, për të rinj që dhurojnë shpresë, për të rinj që besojnë tek e sotmja, tek e ardhmja, që nuk pengohen nga sprovat dhe vështirësitë e jetës! Të rinj që nuk ndalohen për të ecur përpara!
Realisht, ne kemi prej këtij modeli të rinjsh, kemi modele pozitive edhe në qytetin tonë. Djem që aktivizohen për të mirën e qytetit, për të mirën e shoqërisë! Ata janë model i mrekullueshëm i të riut tonë, i cili, me besim në Zotin, me besim tek e ardhmja, si dhe me dëshirën e mirë për t’i shërbyer vendit dhe kombit të tij, punon pa ndërprerje, edhe pse në realitete si të sotmet, ku shumë erëra e furtuna vërshojnë drejt fytyrës së tyre!
Të rinjtë tanë sot, kanë nevojë të lexojnë shembullin e sahabëve dhe njerëzve të përkushtuar nga brezat e kaluar, për vlerësuar peshën e kohës, për ta shfrytëzuar atë në drejtim të rritjes në shkallët e dijes dhe devotshmërisë!
Ata janë shembuj të përkryer që i shërbejnë rinisë tonë për të ecur hap pas hapi me frymën e besimit, për ta respektuar atë, për ta rrezatuar atë në jetën e përditshme mbi modelin e thirrjes kur’anore: “Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë.” – (Kur’ani, El-Kehf: 13).
Kemi nevojë që rinia e jonë sot, të kapet fort pas besimit, mos ta humbë shpresën, mos të hutohet në rrugëtimet e gabuara të kësaj jete, sepse po na vërtetohet ditë pas dite se, të hutuarit pas thirrjeve “vezulluese”, por jo të vërteta, të kësaj bote janë humbje e energjisë, janë humbje e besimit, janë humbje e vlerave!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Nga mesazhi i të xhumasë së sotme, më 8 maj 2020, sërish larg xhamive)