Në rahmet të All-llahut, i miri Haxhi Hafiz Musa Hoxha

Ditën e hënë, më 18 Ramazan 1441, që përkon më 11 maj 2020, u nda nga jeta kalimtare e kësaj bote të përkohshme, Haxhi Hafiz Musa Hoxha, imami dhe hoxha i dashur e sakrifikues i Anës së Malit.

Pas 94 vitesh plot sakrificë, mund e lodhje në kërkim të dijes para duarve të hoxhallarëve të Shkodrës; pas shërbimeve plot përkushtim në rrugë të All-llahut; pas vuajtjes dhe durimit në periudhën më të errët të historisë sonë kombëtare, atë të periudhës komuniste, si dhe pas gëzimit të madh të jetës, ditëve të para të nëntorit 1990, ku ishte në krye të besimtarëve në xhaminë e Plumbit, me këndimet e ëmbla të Kur’anit; pas një jete plot shërbime e përkushtim në rrugën e besimit dhe fesë, sot, në këtë ditë të bekuar të këtij muaji të begatë, ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij.

Myftinia Shkodër, shpreh ngushëllim për besimtarët mbarë, për familjen Hoxha dhe për komunitetin e besimtarëve në Anën e Malit!

Rahmet i pastë shpirti!

Shkodër, më 11 maj 2020

………………………………….

📌 “I privuar është ai, që është ndaluar nga begatia e njerëzve të kohës së tij!”…

Para disa ditësh, një miku im postoi në një prej rrjeteve sociale të komunikimit një video të dijetarit të shquar sirian, Dr. Nurudin Itr. Në ligjëratën e tij, përballë një auditori të përzgjedhur, i dituri Shejh Itr, tregoi se kishte dëgjuar disa herë nga Hoxhë i tij, Shejh Abdulaziz Ujunusud, një urtësi, të cilën e kishte bërë objekt të ligjëratës në fjalë. Urtësia e Hoxhës së tij thoshte: “I privuar është ai, që është ndaluar nga begatia e njerëzve të kohës së tij!”.

Disa herë e dëgjova dhe e ridëgjova këtë pjesë, teksa një valë malli për hoxhallarët e mi, mësuesit dhe edukatorët, më përshkoi qenien time, duke më bërë të ndjehem i mangët pa prezencën e tyre të gjallë, pa fjalën e urtë, pa vështrimet e begata, pa praninë plot mirësi…

Atë natë, malli më shoqëroi në heshtje drejt dyerve të Zotërinjve të mi, të cilët i përshëndeta pa fjalë dhe më folën pa harfe… Atë natë, edhe në ëndërr, një njeri me mjekër të bardhë e fytyrë të dritshme, më bëri me shenjë të ngrihem për të falur sabahun… Si duket, takimet dhe prekjet begatuese të asaj nate, deri në atë cak kishin mbërritur… Pas namazit të sabahut, u luta për Mësuesit dhe Hoxhallarët, për Edukatorët dhe Fjalëpakët, që me gjendjen e tyre, (para fjalëve), më edukuan dhe më frymëzuan me dritën e trashëgimisë së tyre shpirtërore…

Të nesërmen, isha i heshtur. Mendoja për natën që kaloi dhe urtësinë e Hoxhës së shquar sirian, drejtuar nxënësit të tij (tashmë, dijetar dhe edukator i shquar botëror). Me mendjen time bëra një tavaf përreth Shkodrës, në kërkim të “njerëzve të kohës”, për të trokitur në dyert e tyre, në kërkim të begatisë…

I pari që më doli para syve, tamam si një shenjë e bukur Drite, ishte Hoxha ynë, trashëgimtari i derseve dhe mësimeve të hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës… I vetmi i mbetur gjallë, Hafiz Musa Hoxha. (Shok dersi me hoxhallarët e shkuar, të nderuarit: H. Sabri Koçi, H. Sulejman Kraja, H. Selim Shabtafa, H. Qamil Tresi, H. Halit Mertoshi, H. Ali Hysi… etj, etj.)

Dhe me disa imamë të Shkodrës, (ndoshta me më pak, sesa realisht do të kishin dëshirë të ishin të pranishëm në këtë vizitë), e vizituam një pasdite, pasi kishim marrë leje më parë për këtë vizitë të shtrenjtë.

Dera e oborrit ishte hapur nga të dy anët e saj, ndërsa Hoxha me mjekrën e tij të bardhë dhe kokën e mbuluar, qëndronte në këmbë, lart te dera e shtëpisë… I mbështetur mbi bastunin e tij, pak i kërrusur, aq sa për të mbajtur mbi supe 89 vitet e jetës së tij, na uronte mirëseardhjen, teksa na vështronte në hyrje të oborrit, drejt tij.
U përqafuam dhe dorë përdore hymë në dhomën e pritjes, që kishte marrë ngjyrë dielli, rrezet e të cilit depërtonin në heshtje nga një dritare e madhe përballë nesh.

U ulëm bri Hoxhës. Mjekra e tij e bardhë, fytyra e ndezur me dritë besimi, koka e mbuluar, pastërtia dhe parfumi i moshës së thyer, larë me ujë abdesi, sexhde nate e lexim Kur’ani, përkufizonin imazhin e tij, para syve të mi e zemrës, që në mall për Hoxhallarët e saj, mbështetej në krahët e pamjes së Hafizit të bardhë…

Dhe Hoxha nisi të fliste… Uronte e bekonte. Lutej për ne dhe sërish uronte e bekonte. Një këshillë e urtë, një fjalë e vjetër, një kujtim nga e shkuara e largët dhe një vështrim nga e nesërmja, mbështetur në të sotmen dhe prezenten, ishin cilësia e fjalëve të tij plot mall e gëzim, nga kjo vizitë e shumëpritur për moshën e tij të thyer.

Kisha dëshirë ta dëgjoja, vetëm ta dëgjoja e të vështroja në fytyrën e tij, teksa në orbitën e kësaj vizite më silleshin fjalët e Shejh Ujunusudit, në gojën e nxënësit të tij: “I privuar është ai, që është ndaluar nga begatia e njerëzve të kohës së tij!” dhe pohoja me zemër, duke konstatuar vërtetësinë e ndjerë të fjalës së tij të urtë.

Hafizi me fytyrë të ndritur, shpesh ndalonte së foluri, pastaj sërish e merrte fjalën, duke na marrë përdore drejt një kohe e një vendi, ndryshe nga koha jonë dhe vendi ynë… Ishin kohë me dijetarë dhe edukatorë, si mësuesit e tij të nderuar dhe hoxhallarët e kohës, që i përmendte me shumë krenari, seriozitet dhe përmallim…

“Hoxhallarët tanë H. Muhamed Bekteshi, Hafiz Sabri beg Bushati, Hafiz Esat Myftija, në xhaminë e të cilit bëja shpesh edhe mezinllëk, Sali ef. Myftija…”, e sa shumë hoxhallarë të nderuar e njerëz të mirë të kohëve të shkuara në Shkodrën time të shtrenjtë, përmendte Hafiz Musaja, në kujtimet dhe këshillat e tij, si mjekra e tij e bardhë…

Pastaj, për një moment, si për t’iu përgjigjur një pyetje-përgjigje që më sillej në mendje, teksa vështroja fytyrën e tij të bukur, Hoxha ynë i nderuar vazhdoi: “Kurrë nuk kam pi alkool, edhe pse na kanë sprovu shumë në periudhën e vështirë të ndalimit të fesë… Të gjitha xhenazet e Anës së Malit i kam vendú fshehtaz, në orë të vona të pasmesnatës, në borë e në shi, në dimër e në verë… Kisha frikë se dikush do na padiste, por na ka rujtë i Madhi Zot… Durim të madh kemi ba… Sepse vetëm me durim kalohen sprovat e jetës, elhamdulilah!”, – tha ndër të tjera, si për të shënuar një testament besimi e një dëshmi kohësh të egra… Si për të thënë, se njeriu e ka në dorë, ta ruajë a jo veten e tij.

Na këshilloi e na uroi, u lut për ne e, sërish na kërkoi ta vizitonim e mos ta harronim.
Teksa ngriheshim, Hoxha insistonte të ulej deri poshtë për të na përcjellë, duke kaluar në dy palë shkallë të larta. Pasi u ulëm, dorë për dorë, mbështetur në bastunin e tij besnik, Hoxha u ndal për një moment, na vështroi dhe u lut me mirësinë e tij për ne, si një begati e bardhë, me të cilën na përcillte drejt derës së oborrit.

Teksa largoheshim, nga dritaret e mbyllura të makinës sonë vëreja se, Hoxha i mbështetur në bastunin e tij, diçka mërmëriste me vete, teksa vështronte nga ne… Unë, e ndiqja me nderim e respekt, teksa isha pushtuar nga urtësia e dijetarit të urtë damasken, që thoshte: “I privuar është ai, që është ndaluar nga begatia e njerëzve të kohës së tij!”

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër