Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë!
Ditën e sotme, dua t’ju drejtohem me një mesazh që ka të bëjë me atmosferën e begatë të dhjetë ditëve të treta të Muajit të madhnueshëm të Ramazanit.
Tashmë të gjithë ne kemi hyrë në këtë periudhë të begatë, e cila shënon edhe pjesën kulminante të Muajit të madhnueshëm të Ramazanit. Ashtu siç transmetohet edhe nga Nana e jonë, Hz. Aishja (r.a.): “Kur hynin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Resulull-llahu (a.s.) kalonte natën në adhurim, zgjonte familjen e tij dhe shtrëngonte brezin!”. Që do të thotë se, Resulull-llahu (a.s.), në këto dhjetë ditë, ka pasur traditë që të shfrytëzojë maksimalisht kohën me adhurime e lutje, për ta përfunduar këtë Muaj të begatë në mënyrën më të mirë që i takon besimtarit.
Kjo është një thirrje për të gjithë ne, edhe në ditët e sotme, edhe në këto kushte, me të cilat po përballemi, që ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë kohë të mbetur nga ramazani i sivjetshëm, në mënyrë që, me mbërritjen e natës së Fitër Bajramit, të gjithë ne të kemi merituar mëshirën e pakufijshme të All-llahut të Madhëruar, faljen e Tij dhe të jemi lartësuar në mesin e besimtarëve të dëshmuar nga Krijuesi Mëshirëbërës, për pranim e pëlqim!
Poashtu, Nana e jonë, Hz. Aishe (r.a.) na tregon dhe thotë: “Nuk di që Resulull-llahu (a.s.) ta ketë lexuar të plotë Kur’anin brenda një nate, ose të jetë falur një natë deri në sabah, ose të ketë agjëruar një muaj të plotë, përveçse në Ramazan!”.
Koha e sotme na vërteton se e kemi mundësinë më të mirë për ta shfrytëzuar këtë periudhë të begatë për të bërë më të mirën në marrëdhënien tonë me Zotin e gjithësisë!
Nëse Resulull-llahu (a.s.) e zgjonte familjen e tij për t’u falur natën, le ta bëjmë edhe ne një gjë të tillë. Le të zgjohemi së bashku me krejt pjestarët e familjes sonë dhe le ta shfrytëzojmë kohën, edhe më tepër nga ç’e kemi bërë në pjesën e kaluar të Ramazanit!
Kaloi 2/3 e këtij Muaji të begatë. Tashmë ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe po afrohemi për të mbërritur edhe Natën e Kadrit. Kësisoj, me besim në Zotin dhe me bindje të plotë në shpërblimin e Tij, të shfrytëzojmë kohën me adhurim, pjesën e natës me dhikër, me virdet tona të përditshme, me leximin e Kur’anit, me lutje, me meditime, me kujtimin e të shkuarve dhe të sotmëve, prej të dashurve dhe të afrëmve tanë, me lutje për njëri-tjetrin, me qëllim që All-llahu i Madhëruar të na mbulojë me mëshirën e Tij!
Të dashurit e mi!
E kemi mundësinë më të mirë në këto ditë dhe netë të mbetura që të shtojmë dhikrin, në mënyrë të veçantë. Mos të jemi neglizhentë ndaj përmendjes së All-llahut (xh.sh.), sepse dhikri është adhurimi më i mirë, më i plotë, më i përmendur në Kur’anin Famëlartë.
Mos të lëmë pas dore as namazin e tehexhudit, pasi të kemi falur më parë teravinë e plotë me njëzet rekatet e saj. Dy rekate, katër rekate, por edhe më shumë; ta zgjasim sa më shumë sexhden dhe të lutemi me kry në tokë, sepse ai është vendi ku njeriu është më afër Zoit të tij! Pra në atë vend, ku krejt qenia njerëzore i është përulur dhe i është dorëzuar Zotit të gjithësisë! Aty le ta hapë zemrën e tij secili prej nesh! Le t’i tregojë Zotit të gjithësisë se çfarë ka në atë zemrë, që Ai e di më së miri, porse njeriu ka nevojë për këtë komunikim dhe lidhje, që e rehaton zemrën dhe shpirtin, e mbush me qetësi dhe e liron nga brengat e përditshme që e lodhin zemrën dhe e dobësojnë atë!
Le t’ia hapim zemrën Zotit tonë, le të trokasim në derën e sexhdes, sepse është vendi ku asnjëherë dera nuk mbyllet për ata që trokasin me sinqeritet dhe përkushtim të plotë!
Prej veprave të mira dhe të pëlqyera në këtë periudhë kohore, është pa dyshim edhe leximi i Kur’anit Famëlartë.
Po dëgjoja njërin prej thirrësve bashkëkohorë që po jepte disa këshilla për këtë periudhë, ku thoshte se sot do t’ju them për pesë gjërat kryesore, që duhet të praktikoni në këto dhjetë ditë të mbetura të Ramazanit. E para: Leximi i Kur’anit. E dyta: Leximi i Kur’anit! E treta: Leximi i Kur’anit! E katërta: Poashtu, leximi i Kur’anit! E pesta: Leximi i Kur’anit!
Jemi të ftuar të meditojmë dhe të reflektojmë me sa të kemi mundësi, sidomos në këtë periudhë kohore për të kuptuar lidhjen e madhe që ka ky Muaj me Kur’anin Famëlartë, që nisi të shpallej në të!
Përkushtimi i dhe adhurimi i Resulull-llahut (a.s.) në shpellën e Hirasë, u finalizua dhe u shpërblye me fillimin e shpalljes së ajeteve të para të Kur’anit. A jemi ne në gjendje sot, të përfitojmë nga kjo përshpirtje dhe t’i bëjmë shtëpitë tona vende adhurimi dhe përkushtimi, që meritojnë të mbulohen nga mëshira e All-llahut të Madhëruar dhe, njëkohësisht, secilit prej nesh t’i vijnë myzhde nga Zoti i Plotfuqishëm, siç i erdhi Resulull-llahut (a.s.) “Ikra-ja”!
A nuk jemi ne të aftë sot, të shfrytëzojmë kohën për leximin e Kur’anit, jo thjeshtë një lexim i rëndomtë, por një lexim me përkushtim e meditim, lexim me nënvizime dhe për të kuptuar atë që ka ardhur nga Zoti i gjithësisë, me bindjen e plotë se çdo gjë në këtë Libër është e vërtetëtë e patjetërsueshme, është kulmi i urtisë, është caku i përsosmërisë, është maja e udhëzimit të drejtë e të plotë për racën njerëzore?
Pra, ta lexojmë Kur’anin Famëlartë duke mos pasur asnjë mëdyshje në asnjë fjalë prej fjalëve të tij! Ta lexojmë atë dhe të mos lejojmë që asnjë cytje që vjen nga shejtani i mallkuar a nga soji i tij prej racës njerëzore, të na bëjë vesvese, a të nxisë dilemë qesharake e të paqena, prej atyre që kemi lexuar e dëgjuar deri më sot, në lidhje me Kur’anin Famëlartë!
“Ai është shpallje nga Zoti i botëve!”. Nëse Zoti i botrave thotë diçka, nuk ka gjë që e kthen atë fjalë! Nëse Zoti i botrave vendos për diçka, ajo është kulmi i urtësisë! Nëse Zoti i gjithësisë na udhëzon drejt një rruge, ajo është rruga e plotë dhe nuk ka mëdyshje për këtë!
Në këtë Muaj jemi ftuar të agjërojmë që të mbërrijmë shkallën e dëvotshmërisë. Dhe, kuptimin e dëvotshmërisë na e ka përmdneur në ajetin e parë të sures së parë në renditjen e Kur’anit: “Elif – Lam – Mim. Ky është një Libër në të cilin nuk ka dyshim”. Pra, nuk ka dyshim se ky Libër është Fjala e Krijuesit dhe i shpallur nga ana e Tij, Madhëruar qoftë!
Në këtë mënyrë duhet të komunikojmë me Kur’anin, të bindur se në të nuk ka asnjë dyshim e mangësi, sepse ai është “Ai është udhërrëfyes për të devotshmit”.
Atëherë, le të kapemi fort pas këtij Libri, që Zoti i gjithësisë e ka shpallur për të qenë udhëzim për të përkushtuarit, në Muajin e përkushtimit dhe të përkushtuarve! Të përpiqemi të kuptojmë çdo gjë nga ky Libër i madhnueshëm, sikurse të praktikojmë me sa të kemi mundësi udhëzimin e tij dhe dritën e tij ta përhapim në mesin e njerëzve.
Në suren El-Bekare urdhëron: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”.
Resulull-llahu (a.s.) thoshte: “Ai që lexon nja shkronjë nga Libri i All-llahut, do të shpërblehet me një të mirë per të dhe e mira dhjetëfishohet…”.
Pra, përveç se ta lexojmë për ta kuptuar dhe, ky është thelbi, ta lexojmë njëkohësisht sepse për çdo harf të tij, ne shpërblehemi nga Zoti i gjithësisë, që është mëshirë e bujari prej Madhnisë së Tij për ne!
Resulull-llahu (a.s.) thotë gjithashtu: “Në ditën e kiametit do të prezantojë Kur’ani bashkë me njerëzit e tij, ata që punonin me të në këtë botë; i prin sureja El-Bekare dhe sureja Ali Imran, që mbrojnë njerëzit e tyre!”. Pra, ata që punonin me të, që do të thotë se jemi nxitur ta lexojmë e të kuptojmë drejtë Fjalën e Zotit, që të kemi mundësi të punojmë me të! Por, si të punojmë me të, pa e kuptuar më parë dhe, si ta kuptojmë atë pa e lexuar më parë dhe, si ta lexojmë atë pa një mësues të aftë, që na udhëzon drejt mësimit dhe kuptiimit të Kur’anit Famëlartë?
Në këtë hadith, Resulull-llahu (a.s.) na vë në dukje madhështinë e Kur’anit Famëlartë, jo thjeshtë për leximin e rëndomtë të tij, por për praktikimin e tij dhe se, praktikimi dhe të punuarit me të do të ketë një të mirë shumë të madhe edhe në ditën e gjykimit! Sepse ky Kur’an do të na prijë drejt xhenneteve të All-llahut të Madhëruar në ditën e gjykimit, siç na ka drejtuar në këtë botë drejt përsosmërisë dhe shfaqjes me përkushtim dhe garantimit të një jete plot dritë, vlera e përparim!
Të dashur besimtarë!
Poashtu, jemi të ftuar që në këtë periudhë kohiore të nxjerrim zekatin dhe të shtojmë sadekatë. Pra, është momenti më i mirë për të gjithë ata që kanë mundësi për të ndihmuar njerëz në nevojë a për të kontribuar për projekte bamirëse që i shërbejnë komunitetit, si: hapja e një shkolle, ndërtimi i një spitali, ngritja e një fabrike, realizimi i një ure lidhëse që ndihmon njerëzit, sidomos në fshatra, hapja e një bunari për të pirë ujë njerëzit dhe krijesat e tjera, ndarja e një vakëfi për të trajtuar kafshët endacake dhe të sëmura, ndërtimi i një shtëpie për përkujdesjen ndaj jetimëve të braktisur, ndërtimi i një xhamie të re, etj.
Poashtu, është me vend që në këtë periudhë të angazhohemi për t’u distancuar një herë e mirë nga thashethemi dhe nga humbja e kohës, sepse koha është kapitali më i shtrenjtë që kemi në këtë botë. Nëse nuk i japim hakun e duhur kohës dhe nuk e shfrytëzojmë atë për ndërtimin dhe përsosjen e vetvetes, si dhe për ndërtimin e urave të komunikimit me të tjerët, natyrshëm që kemi humbur! Nëse lëmë pasa dore kohën, në fakt kemi lënë pas dore vetë jetën tonë të kufizuar të kësaj jete të shkurtër!
Për fund,
I lutem All-llahut të Madhëruar që kjo sprovë që kemi kaluar larg xhamive tona, larg tubimeve masive vëllazërore, të na shpërblehet nga Zoti i gjithësisë. Sikurse i lutem Atij, Madhëruar qoftë, që kjo të jetë e xhumaja e fundit larg xhamive tona, sepse besoj se tashmë janë plotësuar kushtet që njerëzit të kthehen plotësisht në xhamitë e tyre, për ta shijuar namazin dhe harmoninë e xhamisë!
All-llahu (xh.sh.) ju begatoftë dhe ju ruajtë nga çdo e keqe, ju, familjet tuaja, qytetin tonë, vendin dhe mbarë njerëzimin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Mesazhi i xhumasë së katërt të Muajit Ramazan 1441/2020, më 15 maj 2020)