Përballja me “armikun” e padukshëm, që ka kapluar globin dhe që dita-ditës po nxjerr në pah të vërtetat e mëdha të kësaj që po ngjet kudo në botë, po na shfaq njëkohësisht edhe fytyra dhe portrete të shumta, që deri dje, nën efektin e makiazhit, dukeshin ndryshe nga ç’duken sot, në imazhin e tyre të vërtetë e real!
Natyrshëm, në këtë kontekst, lista është e gjatë dhe pak nga pak përfshin shumë prej nesh, sidomos ata që kanë një mision të lartë e të spikatur në shoqëri, por që shkelin mbi të pa të drejtë!
Nëpërmjet rrjeteve sociale ndoqa sot, një shfaqje terrori në mes të Tiranës, ku një grup policësh dhunojnë në mënyrë barbare një të ri, për një arsye që nuk e di se cila është, e që cilado që të jetë nuk e justifikon këtë shfaqje nga blutë në fjalë, aq më shumë në një ditë të shenjtë Ramazani! Dukej tamam si pamjet që vijnë nga shfaqjet barbare të policisë indiane me njerëz të pafajshëm që dhunohen e masakrohen rrugëve, pa pikë mëshire!?
Këta policë janë imazhi më i padenjë i një institucioni që duhet të ketë mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjithë atyre që i duan të mirën vendit; sigurisë, mirëqenies, rendit dhe normalitetit në marrëdhëniet e individit me ligjin! Por, në këtë rast, veprimi kriminal i tyre duhet të dënohet nga të gjithë ne, pa asnjë tolerancë!
Këta policë nuk përfaqësojnë ata qindra djem të nderuar, që me përkushtimin e tyre, vlerat e tabanit, profesionalizmin, qytetarinë dhe, mbi të gjitha me njerzillekun e tyre, japin një kontribut të shkëlqyer për të ngritur në piedestalin e merituar imazhin dhe rolin e ruajtësit të rendit, sigurisë, paqes e qetësisë në shoqëri!
Të tillët duhet të jenë pjesë e lutjeve tona ditore, që Zoti Fuqiplotë t’i ruajë e t’i japë mbarësi!
Polici a kushdo që terrorizon të riun tonë, që e godet atë barbarisht në mes të ditës e në mes të rrugës, që e shan dhe e përulë atë publikisht, nuk bën të tolerohet, as të justifikohet, as të mbrohet nga askush!
Të gjithë duhet ta kundërshtojmë të keqen, ta refuzojmë atë, të mosbindemi para saj, të mos tolerojmë e të mos pranojmë erën e saj mbytëse, që e ka rritur dukshëm nivelin e smogut të zullumit e të dekadentes; ku nga djallëzia e prodhuesve dhe propaganduesve të saj, ku nga heshtja, përgjumja dhe bërja palë me realitetet e këtij modeli munker!
Pamje të tilla dëshmojnë krizë të thellë morale e njerëzore, që ka nevojë të menjëhershme për shërim e pastrim!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 16 maj 2020