Në moshën 94 vjeçare, ndërroi jetë në Shkodër, Hoxha i urtë anamalas, Haxhi Hafiz Musa Hoxha, i fundit i nxënësve të përkushtuar të hoxhallarëve të vjetër të Shkodrës.
Hafiz Musa Isuf Hysejn Nuro Hoxha, ka lindur në fshatin Babot të Anës së Malit- Shkodër, në vitin 1926.
Në autobiografinë e tij, ai tregon për: “16 vitet e rinisë së tij dhe ditët e saj të mbushura me ecejake dyerve të hoxhallarëve të njohur të Shkodrës si: H. Muhamed Bekteshi, H. Esat Myftija, H. Ibrahim Kaduku, H. Smajl Abdia i Tepes, etj., te të cilët kishte kënduar ders dhe kishte filluar hatmen e Kur’anit Kerim, vasin, gramatikën arabe, etj. “Në vitin 1944 jam prezantuar për të parën herë me Hafiz Esat Myftinë. Me të kam ba ders dy orë në ditë, me abdest”, dëshmon për mësuesit e tij.
“Te Haxhi Muhamed Bekteshi ishim 30 vetë. Na thoshte se deri më sot kishte nxjerrë tri palë talebe… Me kulturën që na ka dhanë ai, nuk mund t’i dalim kurrë hakut, kaq Hoxhë i naltë ka kenë. Na ka mësu me pasë frikë Zotin, me pasë karakter feje, jo m’u mburrë me diploma e ixhazete!“.
“Në moshën 14 vjeçare kam shkuar imam për të parën herë në jetë. Ndonëse i padekretuar, kam shërbyer 30 netë teravi, në fshatin Milan. Pastaj, në vitin 1945 e 1946 kam shku Imam në Reç dhe për dy vjet i kam mësu edhe fëmijët. Më 13 janar 1947 na morën ushtarë. Aty kam qëndruar 3 vjet e gjysmë. Në mars të vitit 1950 erdha Imam këtu në fshatin Vejukaj, ku qëndrova rreth 9 vjet. Prej aty kam shkuar Imam në fshatin Vallas, ku kam qëndruar edhe aty rreth 9 vjet.
Edhe gjatë kësaj kohe kam vazhdu me marrë derse në Shkodër. Në orën 4 të mesnatës nisesha prej këtu në Babot, me biçikletë dhe në orën 7 isha të Çinari i Hoxhë Dheut, për të filluar dersin. Aty ishim me krejt shokët: Hafiz Sabriu, Hafiz Qamili, Haki Halili, Hafiz Haliti, Hafiz Yzejri…”.
Duke treguar për kujtimet e periudhës komuniste dhe ndalimin e fesë, thotë: “Katër kintal qitabe m’i kanë marrë, megjithëse jam mundu me i fshehë disa, por pjesa më e madhe është zhdukur. Hoxhallarët e Shkodrës më kanë dashur fort dhe më kanë dhuruar libra.
Për shembull, kam marrë qitabe prej Haxhi Muhamed Kastratit, prej Hafiz Ibrahim Kadukut. Kur vdiq Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943), të cilin s’e kam njohur, qitabet e tij më erdhën dhuratë nga ca të njohur që më donin si talebe dhe kërkues i dijes islame…”.
Kur m’i dogjën librat e bibliotekës, njitu para fshatit, arrita të shpëtoj këto copa… (Merr frymë thellë, fshin sytë dhe vazhdon rrëfimin tij) U thoja njerëzve: M’i merrni pjesët e librave… Më ndihmoni t’i shpëtoj librat e mi..! Kështu i kam ruajtur copa-copa qitabet, për mos me i harru..!”.
“Kurrë nuk kam pi alkool, edhe pse na kanë sprovu shumë në periudhën e vështirë të ndalimit të fesë… Të gjitha xhenazet e Anës së Malit i kam vendú fshehtaz, në orë të vona të pasmesnatës, në borë e në shi, në dimër e në verë… Kisha frikë se dikush do na padiste, por na ka rujtë i Madhi Zot… Durim të madh kemi ba… Sepse vetëm me durim kalohen sprovat e jetës, elhamdulilah!”.
Ai kujton me shumë emocion procesin e hapjes së xhamisë së parë, në nëntor të vitit 1990: “Kur u hap feja, Hafiz Sabri Koçi më çoi haber me ardhë në xhaminë e Plumbit dhe më tha: “Ti ke hivzin e Kur’anit, prandaj duhet me fillu mukabelet”. Për tri javë rresht kam këndu Kur’an në xhami të Plumbit, ashtu si dikur”.
Në botimin me titull: “Hafiz Musa Hoxha – vaizi besnik i qitabeve të vjetra”, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari tregon edhe për një pyetje që i kishte drejtuar Hafizit të moshuar: “Hafiz, çfarë mungon sot, në krahasim me kohën tuaj? Ai, buzëqesh rregullon çallmën e tij dhe merr të flasë: “Tash ka ma shumë libra se at’herë. Edhe miradí ka ma shumë se at’herë. Por, sot mungon… A e di se çfarë mungon? E kam shumë kasavet, po jua tham: Kam lexu para shumë kohësh një rivajet, ku Resulull-llahi, duke përmendur shenjat e kiametit, ka thanë: “Ngrihet dituria, shtohet injoranca, shtohet imoraliteti dhe ndërtohen xhamitë duke qenë harab përbrenda”… Kjo mungon sot, frika e Zotit dhe forca e besimit!” dhe Hafizi merr pamje mëshiruese dhe lutëse teksa flet me shumë zemër për kasavetin tij…”.
All-llahu e mëshiroftë dhe shpërbleftë për shërbimet dhe përkushtimin e tij ndaj njerëzve!
Myftinia Shkodër
Shkodër, më 11 maj 2020