Mbrëmjen e së shtunës, më 2 korrik 2016, Myftinia Shkodër organizoi iftarin e përvitshëm me përfaqësues të bashkësive islame të Prizrenit, Ulqinit, këshilltarët e saj, miq e kontribues të ndryshëm në shërbim të vlerave islame në qytetin e Shkodrës dhe përtej.
Të pranishëm në këtë sofër bujare ishin edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, rektori i Universitetit “Bedër”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Besim Ef. Berisha, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, z. Gazmend Dollaku, antarët e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja dhe z. Uran Kalej, Drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, intelektualë të njohur të qytetit, imamë, teologë, biznesmenë, përfaqësues të shoqatave islame etj.
Në prag të iftarit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, uroi të pranishmit për agjërimin e kësaj dite dhe theksoi se sofra të tilla janë simbolika të bashkëpunimit, harmonisë dhe lidhjes së sinqertë në mesin e muslimanë, që janë të thirrur të ndërtojnë jetën me sinqeritet dhe besim.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Kryetari i KMSh-së, H. Skender Bruçaj, i cili theksoi se organizime të tilla ja shtojnë kuptimin dhe vlerat atmosferës njëmujore të Ramazanit, si një muaj që afron përherë e më shumë me vlerat e besimit dhe virtytet më të larta njerëzore.
Një përshëndetje të ngrohtë erdhi edhe nga Kryetari i KBI të Prizrenit, Besim Ef. Berisha, i cili shprehu kënaqësinë e tij për praninë në Shkodër, në këtë sofër bujare, ku dominojnë vlerat e harmonisë dhe vëllazërisë islame.
Në emër të KBI Ulqin përshëndeti Suad Ef. Ukoshata, që falënderoi organizatorët dhe shprehu kënaqësinë e këtij organizimi vëllazëror.
Iftari i bashkëpunimit në mesin e tri bashkësive islame, Shkodër, Prizren, Ulqin, po kthehet në një traditë të bukur me vlera islame dhe kombëtare.