Ditën e diel, më 3 korrik 2016, me këndimin e ezanit të jacisë, në të gjitha xhamitë e Shkodrës nisi edhe falja e namazit të teravisë së fundit për Ramazanin 1437.
Namazi i teravisë është një falje e veçantë e netëve të Ramazanit. Teravia ka njëzet rekate, që falen me xhemat, si një traditë e fortë profetike.
Në xhaminë e Parrucës ishte i pranishëm edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili uroi muslimanët për agjërimin e deritanishëm dhe namazin e teravisë. Myftiu theksoi se agjërimi i Ramazanit ishte një mundësi e madhe për t’u kthyer në origjinën e besimit dhe krenarisë islame, që duhen bartur si një amanet i shenjtë sa të jemi në jetë.
Më pas, Myftiu, teologu Naim Drijaj dhe teologu Gezim Dungaj, drejtuan namazin e jacisë, teravinë dhe vitrin e kësaj nate të begatë.
Myftinia Shkodër ju uron adhurime të pranuara, agjërim të lehtë të ditës së fundit të këtij Ramazani, sikurse njofton se dita e parë e Fitër Bajramit 1437/2016, është ditën e martë, më 5 korrik 2016.
Falja e Sabahut dhe Fitër Bajramit do të bëhet në sheshin e Namazgjasë, bri xhamisë “Ebu Bekër”, duke nisur nga ora: 4.30. Bajrami falet në orën: 06.02.