Mbrëmjen e së shtunës, më 13 qershor 2020, në vazhdën e ciklit të ri të ligjëratave me temë: “Xhamia na mbledh, drita e All-llahut na udhëzon!”, Myftinia Shkodër kishte planifikuar që ligjërata e saj mbrëmjeje të ishte në xhaminë e Urës së Bunës.
Në ligjëratën e mbajtur para besimtarëve të pranishëm, imami i xhamisë së “Dy Vajzave”, thirrësi islam Lavdrim Hamja trajtoi temën e përgjegjësisë së muslimanit ndaj fesë së tij, nisur nga thirrja e fesë për të jetuar me dinjitet, i kapur fort pas besimit dhe Islamit, si dhe duke dëshmuar dashamirësi e humanizëm ndaj komshiut dhe tjetrit, kushdo qoftë ai.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili mbajti një ligjëratë rreth domosdoshmërisë së lidhjes me Kur’anin Famëlartë, mësimin e tij, leximin e tij, kuptimin e tij, praktikimin e tij, si dhe të treguarit të kujdesshëm ndaj misionarëve të shumtë, që teksa shfrytëzojnë mjerimin dhe skamjen, përpiqen t’u ndërrojnë fenë fëmijëve dhe rinisë, me metoda tashmë të njohura.
Cikli i ri i ligjëratave javore do të vijojë edhe në xhami të tjera të qytetit dhe fshatit.