Paraditën e së hënës, më 13 korrik 2020, vijoi trajnimi 10 javor me imamët e Myftinisë Shkodër, ku ligjërues i radhës ishte teologu dhe studiuesi islam, Dr. Ferid Piku.
Në ligjëratën e tij, Dr. Ferid Piku trajtoi temën: {Thirrësi islam, rrugëtues besnik me hadithin: ‘Lehtësoni, mos vështirësoni…’}, ku hodhi dritë mbi rrugët e shumta të përfitimit nga ky hadith i shquar në jetën e thirrësve islamë, misioni i të cilëve është i lidhur ngushtë me shembullin e Resulull-llahut (a.s.).
Nëpërmjet shembujve të shumtë, ai tha se imamët e sotëm duhet të angazhohen përherë e më shumë për të qenë pranë besimtarëve, për të dhuruar qetësim e siguri, për t’u bërë pikë referimi në jetën e muslimanëve, për të dhuruar besim e garanci për njerëzit.
Ndërhyrje me vlerë bënë edhe imamë të pranishëm, që dhanë mendime të vyera dhe reflektime me dobi rreth temës.
Gjithashtu, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, pasi falënderoi ligjëruesin për pranimin e ftesës dhe trajtimin plot vlerë të kësaj teme, solli disa shembuj nga neta e hoxhallarëve të shquar të shekullit, në modelin e të cilëve pasqyrohet shumë mirë përkthimi në realitet i hadithit: “Lehtësoni, mos vështirësoni…”.